Vaksina ruse “Epivakkorona”, në treg muajin e ardhshëm

30 nëntor 2020 | 09:04

Vaksina kundër Kovid-19, “Epivakkorona”, e zhvilluar nga Qendra Shtetërore Kërkimore Ruse për Virologji dhe Bioteknologji, mund të lëshohet në qarkullim civil muajin tjetër, deklaroi drejtori i qendrës, Rinat Maksjutov.

“Ne kemi prodhuar tashmë 35.000 doza vaksinash dhe planifikojmë të prodhojmë edhe 50.000 doza deri në fund të vitit. Rreth 5.000 doza janë dhënë për testimet klinike pas regjistrimit, ndërsa pjesa tjetër do të lëshohet për përdorim civil”, tha Maksjutov, duke shtuar se ai pret që pjesa më e madhe të jetë në treg muajin tjetër.

Sipas tij, seria e parë e vaksinave, e cila do të jetë për përdorim civil, me siguri do të testohet në institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë më 7-8 dhjetor.

“Shpenzimet për dy vaksinat ruse kundër koronavirusit, ‘Sputnik V’ dhe ‘Epivakkorona’, do të jenë pothuajse të njëjta”, tha Maksjutov.

Një tjetër vaksinë pritet të regjistrohet në Rusi së shpejti, të cilën e zhvillon Qendra Federale Shkencore për Kërkim dhe Zhvillim të Produkteve Imune dhe Biologjike pranë Akademisë të Shkencave Çumakov.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-diplomati në Ballkan dhe profesori në Universitetin e Kembrixhit, Timothy…