‘Vaksinat e para vijnë në shkurt, brenda ditës do vaksinohen 20 mijë qytetarë’
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë mbajtur një konferencë për medie ku kanë treguar planin e vaksinimit për Covid-19, pas sigurimit të 500 mijë vaksinave.
Hoti ka bërë me dije se vaksinat e para do të vijnë në muajin shkurt. Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se planifikohet që të testohen deri në 20 mijë qytetarë në ditë.
“Kapaciteti ditor i institucioneve shëndetësore është të vaksinohen rreth 20 mijë qytetarë brenda ditës. Kemi komoditet që brenda një periudhe të shkurtër kohore të vaksinojmë një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve”.
“Pas bisedave që ka bërë dje MSh-ja, janë konkretizuar bisedat me Pfizer për 535 mijë vaksina. Po ashtu janë konkretizuar bisedat me Austrinë për 600 mijë vaksina. E po ashtu edhe me COVAX bisedimet për 700 mijë vaksina. Janë ndarë 40 milionë euro vetëm për vaksinën anti-Covid. Ne presim që sikurse në vendet e regjionit, vaksinat të vijnë në shkurt”, ka thënë Hoti.