
Vaksinimi i studentëve në Shqipëri bëhet i detyrueshëm
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë me dije se me vendim ka bërë të detyrueshëm vaksinimin e studentëve.
Sipas këtij vendimi studentët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit Covid-19 apo kartën e vaksinimit, për të hyrë në institucionet e arsimit të lartë, duke filluar nga data 11 tetor 2021.
Në urdhrin e mëparshëm, Ministria e Shëndetësisë kishte përcaktuar se “për studentët që nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit Covid-19, drejtuesit e institucioneve të arsimit universitar të marrin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative, duke filluar nga 11 tetori”.
Nëpërmjet këtij vendimi, studentët që nuk do vaksinoheshin do kishin mundësi që të bënin mësim online. Por me ndryshimin që i është bërë këtij dokumenti më 27 shtator, i cili mban firmën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, studentët që nuk do vaksinohen nuk do mund të hyjnë në auditor dhe u rrezikohet të humbasin vitin akademik.
Drejtuesit e universiteteve dhe pse kanë zhvilluar disa mbledhje nuk kanë marrë një vendim përfundimtarë se si do të nisë vitit i ri akademik 2021-2022. Por me ndryshimin e vendimit nga ana e autoriteteve shëndetësore dhe përcaktimin e vaksinimit anti-Covid si kusht për të hyrë në auditore edhe drejtuesve të universiteteve u lehtësohet vendimmarrja.
Vaksinimi i studentëve është në nivele të ulëta, por ende nuk ka një të dhënë të saktë se sa përqind e 120 mijë studentëve në total janë vaksinuar.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik kanë marrë një nga dozat e vaksinave anti-Covid rreth 34 për qind e grupmoshës 18-30 vjeç. Për të mundësuar imunizimin e popullatës, edhe Tetori do të jetë muaj i hapur i vaksinimit. /Tv Klan/