Vaksinimi në Shqipëri kërkohet të jetë i detyrueshëm për disa kategori

30 gusht 2021 | 14:05

Shqipëria, nga 1 shtatori, do t’i shtrëngojë masat kundër përhapjes së koronavirusit, në përpjekje për të ulur numrin e të infektuarve.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve është propozuar që orari i lëvizjes së qytetarëve të ndryshojë nga 24:00 – 06:00 në 23:00 – 06:00, pasi ditëve të fundit është rritur numri i personave të infektuar me koronavirus.

Vaksinimi kërkohet të jetë i detyrueshëm për stafin mjekësor, pedagogët dhe studentët, duke filluar nga fillimi i muajit tetor.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, ka thënë se komiteti ka rekomanduar që të gjithë personave të këtyre kategorive t’iu kërkohet paraqitja periodike e testit PCR, për të vërtetuar gjendjen e tyre shëndetësore.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka thënë se duke filluar nga shtatori, do të ndryshojë plani i vaksinimit për disa kategori, me qëllim për të shpëtuar jetë.

“Shtatori do të jetë muaji i dytë i hapur për vaksinimin. Do të nisim shumë shpejt zbatimin e planit për kalimin në një tjetër fazë të fushatës së vaksinimit, ku detyrimi i disa kategorive për t’u vaksinuar do të bëhet në emër të së drejtës së të tjerëve për të mos u infektuar. Të gjitha vendet po lëvizin në këtë drejtim dhe ne do ta bëjmë pa humbur kohë në ditët në vijim”, ka thënë Manastirliu.

Në konferencën për media, Manastirliu ka thënë se varianti “Delta” i koronavirusit “po përhapet me shpejtësi të frikshme” dhe se po infekton njerëz që janë të pavaksinuar.

“‘Delta’ po përhapet me shpejtësi të frikshme, po infekton njerëz që nuk e kanë bërë vaksinën, ndaj pandemia e koronavirusit ia ka lënë vendin pandemisë së të pavaksinuarve”, ka thënë ajo.

Me masat e reja, nga 6 shtatori, qytetarët që hyjnë në Shqipëri duhet të kenë pasaportë vaksinimi, test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, ose vërtetim të shërimit nga koronavirusi – jo më të vjetër se gjashtë muaj.

Këto rregulla do të vlejnë edhe për personat që kalojnë tranzit nëpër Shqipëri. Po ashtu, nga data 1 shtator, do të ndalohet hyrja e personave të tjerë në aeroporte veç pasagjerëve; në ambientet e mbyllura, maska do të jetë e detyrueshme, ndërsa qytetarët që kthehen në Shqipëri duhet të izolohen për 10 ditë dhe të njoftojnë autoritetet për kryerjen e testit për koronavirus, pas përfundimit të izolimit.

Në Shqipëri janë rreth 9 230 raste aktive me koronavirus. Prej paraqitjes së rastit të parë në muajin mars të vitit 2020, në Shqipëri janë infektuar rreth 150 mijë persona. Prej tyre, 2 492 kanë vdekur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edi Dylhasi nga Gjakova thotë se para 22 vjetësh iu…