Vala modernizon rrjetin, tejkalon problemet teknike me thirrjet dhe sjell internet të shpejtë 4G+ dhe 5G
Më 5 korrik, kanë përfunduar problemet teknike të shfaqura gjatë dhe si pasojë e projektit të modernizimit të rrjetit mobil VALA. Me ndërrimin e teknologjisë së vjetër, të nisur para dy vitesh, tashmë kemi një rrjet Qendror krejtësisht të ri, nga i cili, përveç funksioneve tjera, kontrollohen edhe të gjitha Stacionet Bazë (antenat) në terren. Prandaj, nuk ka më thirrje të humbura, ndërkohë që interneti është cilësor dhe shumë i shpejtë. Gjysma e Stacioneve Bazë tashmë janë ndërruar me të reja, dhe gjysma tjetër pritet të përfundojë deri në fund të vitit, njofton Drejtori Teknik i Telekomit të Kosovës, Halil Krasniqi.
Përveç kësaj, është instaluar teknologjia 5G, e cila aktualisht është në dispozicion të qytetarëve në Prishtinë, Lipjan dhe Fushë Kosovë, dhe do të vazhdojë në të gjitha regjionet tjera. Teknologjia 5G tashmë mbulon rreth 80% të kryeqytetit, ndërsa Vala ka aktivizuar 5G për rreth 7000 konsumatorë postpaid, telefonat e të cilëve e kanë mundësinë e përkrahjes së 5G-së.
Për më tepër, teksa foli për përparësitë që sjell teknologjia 5G, si në zhvillimin ekonomik dhe shumë aspekte tjera të jetës së përditshme, drejtori Teknik ftoi të gjithë konsumatorët që mund të kenë probleme teknike me telefonat e tyre, të kontaktojnë Telekomin e Kosovës në Qendrën e Thirrjeve (0800 10000) si dhe në mediat sociale të Telekomit të Kosovës, ku do të marrin ndihmën e nevojshme rreth konfigurimit të tyre, në mënyrë që ta shijojnë shërbimin cilësor dhe internetin super të shpejtë.
Z. Krasniqi u shpreh edhe sa i përket funksionimit të rrjetit në veri të vendit, duke thënë se Vala funksionon edhe në veri, ku çdo rrugë e rrugicë është e mbuluar me rrjet. Së shpejti, atje do të instalohen edhe disa Stacione Bazë të reja, ndërsa me përfundimin e projektit në dhjetor të këtij viti, edhe veriu do të ketë mbulim të plotë me 4G+-5G, sikurse pjesët tjera të vendit tonë.