Valiev pas skandalin në Kampionatin Evropian: Rusisë ia kam shlyer të gjitha detyrimet

11 prill 2025 | 13:34

Shqipëria ka shkëlqyer në Kampionatin Evropian të Mundjes që po zhvillohet në Sllovaki, duke siguruar dy medalje: ari për Chermen Valiev dhe bronzi për Zelimkhan Abakarov. Megjithatë, festa për arritjen historike të Valievit u zbeh nga një incident i rëndë gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve.

Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe njëkohësisht zëvendëspresident i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, shfaqi sjellje të pahijshme ndaj kampionit shqiptar. Ai i vendosi medaljen Valievit me një gjest të shëmtuar dhe e quajti atë “tradhtar të atdheut”, pas humbjes që Valiev i shkaktoi kampionit rus Zaurbek Sidakov në finalen e peshave 74 kg në stilin e lirë.

Vetë Valiev e ka konfirmuar ngjarjen në një prononcim për “Match TV”: “Mikhail Mamiashvili më quajti tradhtar të atdheut. Isha i hutuar. Iu afrova për t’u sqaruar, por organizatorët ndërhynë dhe më larguan”, ka thënë ai.

Chermen Valiev, i cili në vitin 2024 mori shtetësinë shqiptare, është tashmë një figurë historike për sportin shqiptar, duke fituar medaljen e parë olimpike për Shqipërinë dhe tashmë edhe titullin kampion Evrope. Ai theksoi se kalimi i tij për të përfaqësuar Shqipërinë është bërë në mënyrë të rregullt dhe transparente: “Gjithçka u realizua në përputhje me rregullat ndërkombëtare. Kam paguar 5 mijë euro për Federatën Ndërkombëtare dhe po aq për Federatën Ruse të Mundjes. Nuk kam shkelur asnjë rregull.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi do t’i mungoj Mallorcas edhe…