VALIXHJA E BABAIT TIM

22 prill 2022 | 15:32

ORHAN PAMUK

Ligjërata e Nobelit, 7 dhjetor 2006

Përktheu: Avni Spahiu

Dy vjet para se të vdiste, babai im më dha një valixhe të vogël të mbushur me shkrimet e veta, me dorëshkrime dhe me shënime. Me qëndrimin e tij të rëndomtë hokatar dhe shpotitës, ai më tha se do të dëshironte që unë t’i lexoja të tërat pasi ai të kishte shkuar, me ç’gjë ai donte të thoshte pasi të kishte vdekur.

‘Vetëm ua hedh një shikim’, tha ai paksa i shqetësuar. ‘Shih nëse gjen diçka që mund të të duhet. Ndoshta, pasi të kem shkuar, do të mund të bësh një përzgjedhje dhe ta botosh. Po rrinim në studion time të rrethuar nga librat. Babai po kërkonte një skutë ku do ta vente valixhen, duke bredhur poshtë e lart, si një njeri që donte të hiqte nga vetja një barrë të rëndë. Më në fund, ai e vendosi atë pa zhurmë në një kënd ku nuk pengonte. Ishte një çast turpërimi që asnjëri prej nesh nuk do ta harronte, por porsa kaloi dhe porsa ne u kthyem në rolet tona të zakonshme, lehtësia e jetës, shakatë tona, shpotitjet na u kthyen prapë dhe ne u ndjemë të relaksuar. Folëm siç flisnim gjithnjë, mbi imtësitë e jetës dhe hallet c pafundme politike të Turqisë dhe për projektet kryesisht të dështuara të biznesit të babait, pa ndier ndonjë pikëllim të veçantë.

Më kujtohet se pasi babai u largua, kalova disa ditë duke ecur poshtë e lart pranë valixhes pa e prekur asnjëherë. Tashmë isha mësuar me këtë valixhe të vogël, të zezë prej lëkure dhe me drynin dhe skajet e tij të rrumbullakëta. Babai e merrte atë me vete në udhëtime të shkurtra dhe nganjëherë edhe në punë për të mbajtur në të dokumente. Më kujtohet se kur isha fëmijë, dhe kur babai kthehej nga ndonjë udhëtim, unë hapja valixhen e tij të vogël dhe zhbiroja nëpër gjërat e tij duke ndier aromën e kolonjës dhe të vendeve të huaja. Kjo valixhe ishte një mik i njohur, një përkujtues i fuqishëm i fëmijërisë sime, i së kaluarës sime, por tani as që mund ta prekja. Po pse? Pa mëdyshje, kjo ishte për shkak të peshës misterioze të përmbajtjes së saj.

Tani do të flas për kuptimin e kësaj peshe. Kjo është ajo që dikush krijon kur mbyllet në dhomë, ulet pranë tavolinës dhe tërhiqet në një kënd për t’i shprehur mendimet e tij – ky është kuptimi i letërsisë.

Kur preka valixhen e babait ende nuk merrja forcë ta hapja, por ama e dija se çfarë kishte brenda atyre shënimeve. E kisha parë babanë duke shkruar disa prej tyre. Kjo nuk ishte hera e parë që kisha dëgjuar për peshën e rëndë brenda asaj valixheje. Babai kishte një bibliotekë të pasur; si i ri, nga fundi i viteve 1940, ai kishte dashur të bëhej poet i Stambollit dhe kishte përkthyer Valerin në turqisht, por ai nuk kishte dashur të çonte atë lloj jete që sillte të shkruarit e poezisë në një vend të varfër dhe me pak lexues. Babai i babait tim – gjyshi im – kishte qenë biznesmen i pasur. Babai im kishte pasur jetë të rehatshme si fëmijë dhe si i ri ai nuk ishte i gatshëm të kalonte nëpër krajata për hir të letërsisë dhe të shkrimit. Ai e donte jetën me të gjitha bukuritë e saj – këtë e kuptoja.

Gjëja e parë që më mbante larg përmbajtjes së valixhes së babait, s’do mend, ishte droja se ajo që do të lexoja mund të mos më pëlqente. Pasi që im atë e dinte këtë, ai ishte përkuj­desur që të shtirej sikur nuk e merrte me gjithë mend valixhen. Pas punës 25-vjeçare si shkrimtar, e kisha vështirë ta shihja këtë. Por, unë as që dëshiroja të zemërohesha me tim atë pse kishte dështuar ta merrte me shumë seriozitet letërsinë… Frika ime e vërtetë, gjëja thelbësore që unë nuk doja ta kuptoja apo ta zbuloja, ishte mundësia që babai mund të ishte shkrimtar i mirë. Unë nuk mund ta hapja valixhen e babait sepse kisha frikë nga kjo. Edhe më keq, as që mund t’ia pranoja këtë vetes hapur. Po të ishte e vërtetë dhe sikur nga valixhja e babait të dilte një letërsi e madhe, do të më duhej të pranoja se brenda babait tim kishte ekzistuar një njeri krejtësisht tjetër. Kjo ishte një mundësi e frikshme. Sepse, madje edhe në moshën time të shtyrë dëshiroja që babai im të ishte vetëm babai im – dhe jo shkrimtar.

Shkrimtar është ai që kalon vitet duke u përpjekur me durim ta zbulojë qenien e dytë brenda tij dhe botën që e bën atë ai që është: kur flas për shkrimin, ajo që më bie së pari në mend është romani, poezia, apo tradita letrare, është një person i cili mbyll veten në dhomë, ulet pranë tavolinës dhe, i vetmuar, i kthehet brendisë dhe brenda hijeve të saj ndërton një botë të re me fjalë. Ky burrë – apo kjo grua – mund të përdorë një makinë shkrimi, mund të përfitojë nga lehtësia e një kompjuteri, apo të shkruajë me një penë në letër, siç kam bërë unë për tridhjetë vjet. Duke shkruar ai mund të pijë çaj apo kafe, apo të ndezë një cigare. Herë pas herë ai mund të ngrihet nga tavolina e punës për t’u hedhur një shikim nga dritarja fëmijëve që lozin në rrugë dhe, po të jetë me fat, drurëve dhe peizazheve, apo mund ta tret shikimin mbi një mur të errët. Ai mund të shkruajë poezi, drama, apo romane, siç bëj unë. Të gjitha këto ndryshime vijnë pas detyrës vendimtare të të ulurit pranë tavolinës së punës dhe kredhjes durimplote përbrenda vetes. Të shkruash do të thotë që të shndërrosh këtë kredhje të brendshme në fjalë, ta studiosh botën nëpër të cilën ai kalon, kur kridhet në vetvete dhe ta bësh këtë me durim, me këmbëngulësi dhe me gëzim. Kur rri ulur pranë tavolinës sime, me ditë, me muaj, me vite, duke hedhur fjalë të reja, njërën pas tjetrës, në faqe të zbrazëta, ndihem sikur po krijoj një botë të re, sikur po sjell në jetë atë personin tjetër brenda meje, ashtu siç ndërton dikush një urë, apo një pallat, gur më gur. Gurët që përdorim ne shkrimtarët, janë fjalët. Duke i mbajtur ato në duar, duke ndier mënyrat se si secila prej tyre lidhet me të tjerat, duke i parë nganjëherë nga larg, nganjëherë pothuajse në përqafim të gishtërinjve dhe majat e penës, duke i peshuar ato, duke i lëvizur sa andej-këtej, vit pas viti, me durim dhe shpresë, ne krijojmë botë të reja.

Fshehtësia e shkrimtarit nuk është frymëzimi – sepse nuk është asnjëherë e qartë se prej nga vjen ai, por fshehtësia e tij është këmbëngulësia, durimi i tij. Ajo thënie e bukur turke – të hapësh një pus me gjilpërë – më duket të jetë thënë duke pasur parasysh shkrimtarin. Në rrëfimet e vjetra më pëlqen durimi i Ferhatit, i cili rrëmih një mal të tërë për dashurinë e tij dhe unë e kuptoj edhe këtë. Në romanin tim, Quhem i kuqi, kur shkrova për miniaturistët persianë, që kishin vizatuar të njëjtin kalë me të njëjtin pasion për shumë vite me radhë, duke mbajtur në mend çdo vijë, që të mund ta rikrijonin kalin e bukur edhe me sy të mbyllur, e dija se për çfarë e kisha fjalën lidhur me profesionin e të shkruarit dhe të jetës sime. Nëse një shkrimtar do të shkruajë rrëfimin e vet – shkruaja ngadalë, sikur të ishte ai një rrëfim për njerëz të tjerë – nëse do ta ndiejë fuqinë e rrëfimit duke u shtjelluar nga brenda, nëse do që të ulet pranë tavolinës dhe t’i jepet me durim i tëri artit të tij – mjeshtërisë së tij – ai duhet që së pari të ketë pasur një çikë shpresë. Engjëlli i frymëzimit (që disa i viziton rregullisht, kurse disa të tjerë i fton rrallë) favorizon ata që kanë shpresë dhe besim, dhe vetëm atëherë kur shkrimtari ndihet më i vetmuar, kur ka mëdyshjet më të mëdha për përpjekjet, ëndrrat dhe vlerën e shkrimit të tij – kur mendon se tregimi i tij është vetëm tregim – në çaste të tilla engjëlli vendos t’i shpalosë atij tregimet, imazhet dhe ëndrrat që do ta nxjerrin atë nga bota të cilën mëton ta ndërtojë. Po t’i kthehem mendimit mbi librat të cilave u kam kushtuar tërë jetën, më së shumti befasohem nga ato çaste kur e ndieja sikur ato fjali, ëndrra dhe faqe, që më kishin sjellë dalldisjen më të madhe të lumturisë, nuk vinin nga imagjinata ime – se një forcë tjetër i kishte gjetur ato dhe m’i kishte dhënë mua me zemërgjerësi.

Kisha frikë ta hapja valixhen e babait dhe t’i lexoja shënimet e tij ngaqë e dija se ai nuk do t’i duronte dot vështirësitë të cilat unë i kisha duruar, se nuk ishte vetmia ajo që ai dëshironte, por të qenit mes miqsh, mes turmash, sallonesh, shakash dhe shoqërish. Por, më vonë mendimet e mia morën një kthesë tjetër. Këto mendime, këto ëndrra të dëbimit dhe durimit, ishin paragjykimet që kisha nxjerrë nga jeta dhe përvoja ime si shkrimtar. Kishte shumë shkrimtarë të shkëlqyer që shkruanin të rrethuar nga turma dhe jeta familjare për shkëlqimin e shoqërisë dhe për llafosjet gaztore. Përpos kësaj, im atë, kur ishim të rinj, i lodhur nga monotonia e jetës familjare, na la duke ikur vetë në Paris ku, si shumë shkrimtarë, rrinte në dhomën e hotelit duke mbushur fletoret. E dija, gjithashtu, se pikërisht disa prej këtyre fletoreve me shënime ishin në valixhen e tij, sepse në vitet para se të ma sillte atë, babai përfundimisht zuri të më fliste për atë periudhë të jetës së vet. Ai fliste për ato vite edhe kur isha fëmijë, ndonëse nuk zinte në gojë dobësitë e tij, ëndrrat e tij për t’u bërë shkrimtar apo çështjet e identitetit që e kishin munduar në dhomën e tij të hotelit.

Në vend të kësaj, ai më rrëfente se sa herë e kishte parë Sartrin nëpër trotuaret e Parisit, për librat që i kishte lexuar dhe filmat që kishte parë, të gjitha këto me një sinqeritet ngazëllimi si dikush që zbulon lajme të rëndësishme. Kur u bëra shkrimtar nuk e harrova asnjëherë se kjo ndodhi pjesërisht edhe në saje të faktit se kisha një baba që fliste me shkrimtarë botërorë, më shumë nga ç’fliste me pasha dhe me liderë të mëdhenj fetarë. Pra, mbase, do të ishte mirë t’i lexoja shënimet e babait, duke pasur këtë në mendje dhe duke mos harruar se i kisha borxh bibliotekës së tij të madhe. Duhej të mbaja në mend se kur jetonte me ne, babai im, sikurse dhe unë, kënaqeshim duke qenë vetëm në shoqërinë e librave të tij dhe mendimet e tij dhe kur nuk i kushtonim tepër vëmendje cilësisë letrare të shkrimeve të tij.

Por kur hidhja shikimin me lakmi mbi valixhen që më kishte lënë trashëgim babai, ndihesha se ishte pikërisht kjo gjë që nuk do të isha i aftë ta bëja. Babai nganjëherë shtrihej mbi divan para librave të tij, lëshonte librin apo revistën në dorë dhe kotej, e humbte veten për një kohë të gjatë në mendime. Kur shihja fytyrën e tij, një shprehje aq të ndryshme nga ajo që kishte gjatë shakave, gërgatjeve dhe grindjeve të jetës fami­ljare, kur shihja shenjat e para të një përqendrimi të brendshëm, e shihja, sidomos në vitet e rinisë sime të hershme, me ankth se ai nuk ishte i kënaqur. Tani, kaq vjet më vonë, e di se ajo pakënaqësi është tipari kryesor që e bën dikë shkrimtar. Që të bëhesh shkrimtar, durimi dhe puna e madhe nuk mjaftojnë: ne duhet që së pari të detyrohemi t’u ikim turmave, shoqërisë, gjërave të zakonshme, ditës së përditshme dhe që të mbyllemi në dhomë. Duam që të kemi durim dhe shpresë, që të mund të krijojmë një botë të thellë në shkrimin tonë. Por dëshira për t’u mbyllur në një dhomë është ajo që na shtyn në veprim. Pararendësi i këtij lloji të shkrimtarit të pavarur – i cili lexon librat e veta sipas dëshirës së zemrës së tij dhe i cili, duke dëgjuar vetëm zërin e ndërgjegjes së vet, që zihet me fjalët e të tjerëve, i cili, duke hyrë në bisedë me librat e tij, zhvillon mendimet e veta dhe botën e vet është, pa dyshim, Montanji, në ditët e hershme të letërsisë moderne. Montanji ishte një shkrimtar të cilit i kthehej shpesh im atë, një shkrimtar që ai ma rekomandonte. Do të dëshiroja ta shihja veten se i përkas asaj tradite shkrimtarësh, të cilët – ngado që lexohen në botë, në Lindje apo në Perëndim – janë të shkëputur nga shoqëria dhe që mbyllen me librat e tyre nëpër dhoma. Pika e nisjes e letërsisë së vërtetë është njeriu që rri mbyllur në dhomën e tij me librat e veta. Por, porsa ta kemi kyçur veten larg të tjerëve, do të zbulojmë shpejt se nuk jemi edhe aq të vetmuar sa kemi menduar. Ne jemi në shoqërinë e fjalëve të atyre që kanë qenë para nesh, të tregimeve të njerëzve të tjerë, të librave të njerëzve të tjerë, të asaj që ne e quajmë traditë. Besoj se letërsia është grumbulli më i vlefshëm që ka mbledhur njerëzimi në kërkimin e tij për ta kuptuar vetveten.

Shoqëritë, fiset dhe popujt bëhen më të zgjuar, më të pasur dhe më të përparuar kur u kushtojnë vëmendje fjalëve të trazuara të autorëve të tyre dhe, siç e dimë të gjithë, djegia e librave dhe denigrimi i shkrimtarëve janë sinjale se kohëra të zeza dhe të paparashikueshme po na vijnë. Por letërsia nuk është asnjëherë vetëm interesim kombëtar. Shkrimtari që mbyll veten e tij në një dhomë dhe që së pari merr udhën brenda vetes së tij, do të zbulojë, me kalimin e viteve, rregullin e përjetshëm të letërsisë: ai duhet ta ketë mjeshtërinë artistike për t’i rrëfyer tregimet e veta sikur të ishin tregime të dikujt tjetër, kurse tregimet e të tjerëve t’i rrëfejë sikur të ishin të tijat, sepse kjo është letërsia. Por, së pari, duhet të udhëtojmë nëpër tregimet dhe librat e njerëzve të tjerë.

Babai im kishte një bibliotekë të pasur, me 1 500 vëllime, më shumë se mjaft për një shkrimtar. Deri kur mbusha 22 vjet unë, mbase, nuk i kisha lexuar të gjitha, por e njihja secilën, e dija se cilat ishin të rëndësishme, cilat ishin të lehta për lexim, cilat ishin klasike, cilat përbënin pjesë të arsimimit, cilat ishin shkrime mbi historinë lokale që harroheshin, por që ishin dëfryese dhe cilëve autorëve frëngë babai im u kishte dhënë nota të larta. Nganjëherë e shikoja këtë bibliotekë nga largësia dhe e merrja me mend se si një ditë në një shtëpi tjetër do të kisha bibliotekën time, një bibliotekë edhe më të mirë – një botë që kisha ngritur vetë. Kur shikoja bibliotekën e babait nga larg, më dukej sikur ishte një panoramë e vogël e botës së vërtetë. Por kjo ishte një botë e parë nga këndi ynë. Nga Stambolli. Biblioteka ishte dëshmi e kësaj. Babai im e kishte krijuar bibliotekën e tij nga udhëtimet e tij jashtë, të shumtën me libra nga Parisi e Amerika, por edhe nga libra që i kishte blerë nëpër dyqane që shisnin libra në gjuhë të huaja, gjatë viteve ’40 e ’50, si dhe nga shitës të vjetër dhe të rinj librash në Stamboll, të cilët unë, po ashtu, i njihja. Bota ime është një përzierje e vendit – kombëtares – dhe Perëndimit. Gjatë viteve ’70, edhe unë fillova, disi me ambicie, ta krijoja bibliotekën time. Ende s’kisha vendosur plotësisht të bëhesha shkrimtar, siç e kam përmendur te Stambolli, kisha ardhur në përfundim se nuk mund të bëhesha piktor, por që nuk isha i sigurt se cili do të ishte shtegu i jetës sime që do të ndiqja. Kisha përbrenda njëfarë lloje kureshtje të pandalshme, një dëshirë shprese për të lexuar dhe mësuar, por në të njëjtën kohë ndihesha sikur jetës sime diçka i mungonte, se unë nuk isha në gjendje të jetoja si të tjerët. Një pjesë e kësaj ndjenje lidhej me atë që ndieja kur sodisja bibliotekën e babait tim – jeta larg nga qendra e gjërave, ngaqë të gjithë ne që jetonim në Stamboll në atë kohë, ishim mësuar të mendonim dhe kishim ndjenjën se jetonim në provinca. Kishte dhe një arsye tjetër që më shqetë­sonte dhe më bënte të ndihesha i mangët ngaqë gjithashtu e dija fare mirë se jetoja në një vend që shfaqte pak interesim për artistët e vet – qoftë piktorë apo shkrimtarë – dhe kjo nuk u jepte atyre shpresë. Në të ’70-tat, kur merrja paratë që më jepte babai dhe pangopshëm blija libra të vyshkura, të pluhurosura, me fletë të çaraveshura, nga shitës të librave në Stamboll, prekesha sa nga gjendja e mjerueshme e librarive të dorës së dytë me zhubrosjen dëshpëruese te shitësve të librave që ekspozonin mallin e tyre buzë rrugëve, në oborret e xhamive dhe në skutat e mureve të shkërmoqur – sa dhe nga librat e tyre.

Sa i përket vendit tim në botë – në jetë, si në letërsi, ndjenja ime e thjeshtë ishte se unë ‘nuk isha në qendër’. Në qendrën e botës kishte një jetë më të pasur dhe më gjallëruese nga ajo jona dhe me tërë Stambollin e me tërë Turqinë, unë isha jashtë saj: Sot mendoj se ndaj këtë ndjenjë me shumicën e njerëzve në botë. Në të njëjtën mënyrë kishte një letërsi botërore dhe qendra e saj, po ashtu, ishte larg nga unë. Në të vërtetë, ajo që më sillej ndër mend ishte letërsia perëndimore, jo botërore dhe ne, turqit, ishim jashtë kësaj. Biblioteka e babait tim ishte dëshmi e kësaj. Nga njëra anë ishin librat e Stambollit – letërsia jonë, bota jonë lokale, në të gjitha detajet e saj të dashura – dhe në anën tjetër ishin librat nga ajo botë tjetër, perëndimore, me të cilën bota jonë s’kishte ngjashmëri, mungesa e ngjashmërisë e së cilës na mbillte dhembje dhe shpresë. Të shkruaje, të lexoje, ishte sikur të braktisje një botë për të gjetur ngushëllim në tjetërsinë e botës tjetër, të çuditshme dhe të mrekullueshme. Ndihesha sikur babai im të kishte lexuar romane për të ikur nga jeta e tij dhe për t’u arratisur në Perëndim – mu ashtu siç do të bëja unë më vonë. Apo, më dukej sikur librat atëbotë ishin gjëra që ne i merrnim për të ikur nga kultura jonë, që e konsideronim me aq shumë mangësi. Nuk ishte vetëm përmes leximit që ne iknim nga Stambolli për të udhëtuar në Perëndim – kjo bëhej edhe përmes shkrimit. Për t’i mbushur fletoret e tij, babai kishte ikur në Paris, ishte mbyllur në dhomën e tij dhe ishte kthyer bashkë me shkrimet e tij në Turqi. Sa herë hedhja sytë mbi valixhen e babait tim, më dukej sikur kjo më sillte shqetësim. Pas punës në një dhomë për 25 vjet me radhë, për të mbijetuar si shkrimtar në Turqi, ndihem i hidhëruar kur shoh babanë tim t’i fshehë mendimet e tij të thella brenda valixhes së tij, të shtiret sikur të shkruarit ishte punë që dukej bërë në fshehtësi, larg syve të shoqërisë, shtetit dhe njerëzve. Mbase kjo ka qenë arsyeja kryesore pse e kam ndier veten të zemëruar me babanë pse nuk e ka marrë letërsinë me seriozitetin me të cilin e kam marrë unë.

Në të vërtetë, unë isha i zemëruar me tim atë ngaqë nuk kishte çuar një jetë si timen, ngaqë ai kurrë nuk ishte zënë me jetën e vet dhe e kishte kaluar jetën në lumturi, duke qeshur me miqtë dhe të dashurit e tij. Por, një pjesë imja e dinte se unë mund të thosha, gjithashtu, se nuk isha aq ‘i zemëruar’ sa isha ‘xheloz’, se fjala e dytë ishte më e saktë dhe se, po ashtu, më krijonte një bezdi. Kjo ndodhte kur pyesja veten me zërin tim zakonisht përçmues dhe të zemëruar: ‘Ç’është lumturia?’. Ç’lumturi ishte ajo të mendosh se bën jetë të thellë në atë dhomë të vetmuar? Apo, ishte, vallë, lumturi të bëje një jetë të rehatshme në shoqëri, duke besuar në të njëjtat gjëra si dhe njerëzit e tjerë, apo të aktroje sikur ishe i lumtur? Ç’është lumturia, apo moslumturia, të kaloje jetën duke shkruar në fshehtësi, ndërkohe që shtiresh se je në harmoni me të gjithë përreth një njeriu. Po, këto ishin pyetje tepër keqdashëse. Nga e kisha marrë, vallë, idenë se masa e jetës së mirë ishte lumturia? Njerëzit, letrat, të gjithë silleshin sikur masa më e rëndësishme e jetës të ishte lumturia. A nuk sugjeronte edhe kjo se do t’ia vlente të zbuloje nëse e kundërta ishte e vërtetë? Pas të gjithave, babai im kishte ikur nga familja e tij sa e sa herë – sa mirë e njihja dhe sa me të drejtë do të mund të thosha se e kuptoja bezdinë e tij.

Pra, kjo ishte ajo që më cyste kur hapa për herë të parë valixhen e babait. A kishte im atë ndonjë fshehtësi, ndonjë mungesë lumturie në jetën e tij, për të cilën nuk dija gjë, diçka që ai mund ta duronte vetëm duke e hedhur në letër? Porsa hapa valixhen m’u kujtua kundërmimi i udhëtimeve, njoha disa fletore shënimesh dhe pashë se im atë m’i kishte treguar ato para shumë vitesh, por pa u thelluar në to për një kohë më të gjatë. Shumica e fletoreve me shënime që tani kisha në dorë, ai i kishte mbushur kur kishte vajtur në Paris si i ri. Kurse unë, si shumë shkrimtarë të tjerë që i admiroja – shkrimtarë, biografitë e të cilëve i kisha lexuar – doja të dija se çfarë kishte shkruar babai dhe se çfarë kishte menduar kur ishte në moshën në të cilën isha unë. Nuk m’u desh shumë kohë të kuptoja se nuk do të gjeja asgjë të tillë aty. Ajo që më bezdiste më shumë ishte atëherë kur, aty-këtu në shënimet e babait, hasja në zërin e tij prej shkrimtari. Ky nuk ishte zëri i babait tim, i thosha vetes; nuk ishte autentik apo, të paktën, nuk i përkiste njeriut që unë e kisha njohur si babanë tim. Prapa frikës sime se babai im mund të mos ketë qenë babai im kur kishte shkruar, ishte një frikë edhe më e thellë: frika se thellë në veten time unë nuk isha autentik, se në shkrimet e babait nuk do të gjeja të mirë, kjo ma shtonte frikën të shihja babanë tim të ndikuar si tepër nga shkrimtarë të tjerë dhe më zhyste në dëshpërim që më kishte kapluar aq keq kur isha i ri, duke vënë jetën time, vetë ekzistencën time, dëshirën time për të shkruar dhe punën time në dyshim. Gjatë dhjetë vjetëve të mia të para si shkrimtar e ndieja këtë shqetësim thellë e më thellë dhe, edhe kur e tejkalova atë, nganjëherë ndieja frikën se një ditë do të isha i detyruar ta pranoja disfatën – mu ashtu siç kisha bërë me pikturën – dhe t’i dorëzohesha shqetësimit, duke hequr dorë edhe nga shkrimi i romaneve.

Kam zënë në gojë tashmë dy ndjenjat thelbësore që kishin lindur në mua kur po mbyllja valixhen a babait dhe kur po e hidhja mënjanë: ndjenja e të qenit i braktisur në provinca dhe frika se më mungonte autentiteti. Kjo assesi nuk ishte hera e parë që këto ndjenja më kishin bërë të ndihesha kësisoj. Me vite, në leximet dhe shkrimet e mia, kisha studiuar, zbuluar, kisha thelluar këto ndjenja në të gjitha variantet dhe pasojat e paqëllimta, përfundimet e tyre nervore, cytjet e tyre dhe ngjyrat e tyre të shumta. Pa dyshim, shpirti më ishte acaruar nga konfuzioni, ndjesitë dhe dhembjet e dendura që jeta dhe librat më kishin hedhur, të shumtën kur isha i ri. Por vetëm përmes shkrimit të librave arrita të kisha një kuptim më të plotë të problemeve të autenticitetit (si tek “Quhem i kuqi” dhe “Libri i zi”), si dhe të problemeve të jetës në periferi (si te “Bora” dhe “Stambolli”). Për mua të jesh shkrimtar do të thotë t’i njohësh plagët e fshehta që bartim përbrenda, plagë aq të fshehta saqë as ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm për to dhe që t’i shqyrtosh ato me durim, t’i njohësh, t’i përndriçosh, t’i posedosh këto dhembje dhe plagë dhe t’i bësh pjesë të vetëdijshme të shpirtit dhe të shkrimeve tona.

Shkrimtari flet për gjëra që secili i di, por që nuk e di se i di. Të hulumtosh këtë njohuri dhe ta shikosh atë duke u rritur, është një gjë e këndshme; lexuesi udhëton në një botë që është sa e njohur aq dhe e mrekullueshme. Kur një shkrimtar mbyll veten në një dhomë me vite të tëra për ta mprehur zanatin e vet – për të krijuar një botë – nëse ai shfrytëzon plagët e tij të fshehta si pikënisje, ai është, e diti apo nuk e diti, duke treguar besim të madh në njerëzinë. Besimi im vjen nga bindja se të gjitha qeniet njerëzore i ngjajnë njëra-tjetrës, se të tjerët bartin plagë të ngjashme me të miat – prandaj do të kuptojnë. E tërë letërsia e vërtetë vjen nga kjo siguri fëmijërore dhe shpresë­dhënëse se të gjithë njerëzit i ngjajnë njëri-tjetrit. Kur një shkrimtar mbyllet në një dhomë me vite, me këtë gjest ai sugjeron një njerëzi të vetme, një botë pa qendër.

Por, siç mund të shihet nga valixhja e babait tim dhe ngjyrat e zvetënuara të jetës sonë në Stamboll, bota kishte një qendër dhe ajo ishte larg prej nesh. Në librat e mi e kam përshkruar në detaje se ky fat i thjeshtë kishte evokuar te ne një ndjenjë çehoviane të provincialitetit dhe se si, përmes një rruge tjetër, kjo më kishte bërë të vija në dyshim autenticitetin tim. E di nga përvoja se pjesa dërrmuese e njerëzve të kësaj toke jetojnë me po këto ndjenja dhe se shumë prej tyre vuajnë nga një ndjenjë ende më e thellë e pamjaftueshmërisë, mungesës së sigurisë dhe ndjenjës së poshtërimit sesa unë. Po, dilemat më të mëdha me të cilat ballafaqohet njerëzimi janë ende mungesa e tokës, mungesa e kulmit mbi kokë dhe uria… Por sot televi­zionet dhe gazetat tona na flasin për këto probleme themelore më shpejt dhe më thjesht nga ç’mund ta bëjë këtë ndonjëherë letërsia. Ajo për të cilën sot ka nevojë ta thotë dhe ta hulumtojë letërsia janë frikët themelore të njerëzimit: frika nga braktisja, frika nga injorimi i plotë dhe ndjenjat e pavlerës që burojnë nga frikë të tilla; poshtërimet kolektive, lëndimi, shpërfilljet, pikëllimet, fyerjet e imagjinuara, lavdërimet dhe fryrjet nacio­naliste që janë të afërta me to… sa herë që ballafaqohem me sentimente të tilla dhe me gjuhë irracionale, të mbitheksuar, në të cilën shpesh shprehen ato, e di se prekin të errëtën brenda meje. Shpesh kemi hasur në njerëz, shoqëri dhe kombe jashtë botës perëndimore – dhe unë lehtë mund të identifikohem me ta – të cilët gjunjëzohen para frikave që shpesh i shpijnë drejt marrëzive, mu për shkak të frikës së tyre nga poshtërimi dhe ndjeshmëritë e tyre. E di, po ashtu, se në Perëndim – një botë me të cilën unë mund të identifikohem me po aq lehtësi – vendet dhe popujt që lavdërohen së tepërmi me begatinë e tyre, duke u mburrur se ata kanë sjellë renesancën, iluminizmin, modernizimin, janë gjunjëzuar herë pas herë para një vetëkënaqësie, që është po aq e marrë.

Kjo do të thotë se babai im nuk ishte i vetmi të cilit po i japim tepër rëndësi për idenë e botës me një qendër. Ndërkaq, ajo gjë që na detyron ta mbyllim veten në dhomat tona për të shkruar me vite të tëra, është besimi në të kundërtën, besimi se një ditë shkrimet tona do të lexohen dhe do të kuptohen, ngaqë njerëzit gjithandej botës i ngjajnë njëri-tjetrit. Po kjo, siç e di nga shkrimet e mia dhe nga ato të babait tim, është një optimizëm i trazuar, i përcëlluar nga zemërimi i të qenit të kufizuar në margjina, nga të qenit i përjashtuar. Dashurinë dhe urrejtjen që ndiente Dostojevski ndaj Perëndimit, gjatë tërë jetës së tij, e kam ndier edhe vetë, në shumë raste. Por, po qe se kam zënë një të vërtetë esenciale, nëse kam arsye për optimizëm, kjo është ngaqë kam bërë udhë me këtë shkrimtar të madh përmes relacionit të tij dashuri-urrejtje me Perëndimin, për ta parë atë botë tjetër që ai ka ndërtuar në anën tjetër.

Të gjithë shkrimtarët që i kanë dedikuar jetën kësaj detyre njohin këtë realitet: pa marrë parasysh qëllimin tonë fillimtar, bota të cilën ne e krijojmë pas shumë e shumë vitesh shkrimesh shpresëdhënëse, më në fund, do të kalojë në vende fare të ndryshme. Ato do të na çojnë larg nga tavolina, pranë së cilës kemi punuar me pikëllim apo zemërim, do të na nxjerrin tek ana tjetër e atij pikëllimi apo zemërimi, në një tjetër botë. A nuk ka mundur babai im të arrinte deri te një botë e tillë për veten e tij? Sikur dheu që merr gradualisht formën, duke dalë ngadalë nga mjegulla në tërë ngjyrat e tij, si një ishull pas një lundrimi të gjatë në det, kjo botë tjetër na magjeps. Ne nemi­temi mu sikur udhëtarët perëndimorë që qasen nga jugu për ta parë Stambollin duke dalë nga mjegulla. Në mbarim të një udhëtimi të filluar me shpresë dhe kureshtje, para tyre qëndron një qytet xhamish dhe minaresh, një përzierje shtëpish, rrugësh, kodrash, urash dhe shpatesh, një botë e tërë. Duke parë këtë, ne dëshirojmë të zhytemi në këtë botë dhe të humbim brenda saj mu ashtu siç do të zhyteshim në një libër. Pasi të jemi ulur pranë një tavoline, ngaqë ndiheshim provincialë, të përjashtuar, në margjina, të zemëruar, apo tepër të mallëngjyer, ne gjejmë një botë të tërë përtej këtyre ndjenjave.

Ajo që ndiej tani është e kundërta e asaj që kam ndier si fëmijë dhe si i ri: për mua, qendra e botës është Stambolli. Kjo nuk është vetëm ngaqë aty e kam kaluar tërë jetën time, por ngaqë gjatë 33 vjetëve të fundit unë kam rrëfyer për rrugët e tij, për urat, njerëzit, qentë, shtëpitë, xhamitë, shatërvanët, heronjtë e tij të çuditshëm, dyqanet, karakteret e tij të njohur, skutat e errëta, ditët dhe netët e tij, duke i bërë kështu pjesë të vetes sime, duke i përqafuar që të gjitha. Arriti një pikë kur kjo botë, të cilën unë e kisha ndërtuar me duart e mia, kjo botë që ekzistonte vetëm në kokën time, ishte më reale për mua sesa vetë qyteti në të cilin unë jetoja në të vërtetë. Kjo ndodhi atëherë kur të gjithë këta njerëz dhe këto rrugë, këto objekte dhe ndërtesa, sikur kishin zënë të flisnin midis tyre dhe të ndërvepronin në mënyrë që unë nuk e kisha pritur, sikur të mos kishin jetuar vetëm në imagjinatën time apo në librat e mi, por për veten e tyre. Kjo botë që kisha krijuar unë si dikush që mih një pus me një gjilpërë më dukej atëherë më e vërtetë se çdo gjë tjetër.

Im atë mund ta ketë zbuluar, po ashtu, këtë lloj lumturie gjatë viteve që ai i kalonte duke shkruar, mendoja unë, sa herë i hidhja sytë valixhes së babait: nuk duhej ta paragjykoja. I isha aq mirënjohës, para së gjithash: ai nuk kishte qenë asnjëherë baba që jepte urdhra, që ndalonte, që mbizotëronte, që ndëshkonte, një baba i rëndomtë, por një baba i cili gjith­monë më la të lirë, që gjithmonë tregonte për mua respektin më të madh. Kam vrarë mendjen shpesh se, sikur herë pas herë, kam qenë në gjendje ta nxirrja nga koka, qoftë në rini apo fëmijëri, kjo ndodhte ngaqë jo si shumica e shokëve të mi të fëmijërisë dhe rinisë, unë nuk kisha frikë nga babai im, dhe nganjëherë kam besuar thellësisht se unë kam qenë në gjendje të bëhem shkrimtar, ngaqë babai im, në rininë e tij, kishte dëshiruar të bëhej edhe vetë. Më duhej ta lexoja me tolerancë, të përpiqesha ta kuptoja se çfarë kishte shkruar në ato dhoma hoteli.

Me këto mendime shprese në kokë iu afrova valixhes, që ende qëndronte aty ku e kishte lënë babai. Mblodha të tërë fuqinë e mendjes për të lexuar disa dorëshkrime dhe shënime. Për çfarë kishte shkruar babai? Më kujtohen disa përshkrime nga dritaret e hoteleve të Parisit, disa vjersha, paradokse, analiza… Tani kur po e shkruaj këtë, ndihem sikur dikush që porsa ka shpëtuar nga një aksident trafiku dhe që përpiqet të kuptojë se si ndodhi dhe që, në të njëjtën kohë, duke iu druajtur kujtimit të tepërt. Kur kam qenë fëmijë dhe kur babai dhe nëna ime ishin para grindjes, kur ata binin në atë heshtjen e tyre për vdekje, im atë menjëherë e lëshonte radion për ta ndryshuar disponimin dhe muzika na bënte të harronim më shpejt të tërën.

Më lejoni të ndërroj disponimin me disa fjalë të ëmbla të cilat, shpresoj, do të shërbejnë po aq sa dhe ajo muzikë. Siç e dini, pyetja që na bëjnë ne shkrimtarëve më së shpeshti, pyetja e dashur, është, pse shkruani? Unë shkruaj ngaqë kam një nevojë të brendshme për të shkruar! Shkruaj ngaqë nuk mund të bëj punë normale si njerëz të tjerë. Shkruaj ngaqë dua të lexoj libra si ato që shkruaj unë. Shkruaj sepse jam i zemëruar në të gjithë ju, i zemëruar me të gjithë. Shkruaj ngaqë më pëlqen të rri ulur në dhomë tërë ditën e të shkruaj. Shkruaj ngaqë unë jam në gjendje të jem pjesë e jetës së vërtetë vetëm duke e ndryshuar atë. Shkruaj ngaqë dua që të tjerët, të gjithë ne, e tërë bota, të dijë se në çfarë jete kemi jetuar dhe vazhdojmë të jetojmë në Stamboll, në Turqi. Shkruaj ngaqë ma ka ënda aromën e letrës, lapsit dhe ngjyrës. Shkruaj ngaqë besoj në letërsi, në artin e romanit, më shumë nga ç’besoj në çdo gjë tjetër. Shkruaj ngaqë kjo më është bërë ves, pasion. Shkruaj ngaqë kam frikë nga të qenit i harruar. Shkruaj ngaqë më pëlqen lavdi dhe interesimi që sjell të shkruarit. Shkruaj që të jem vetëm. Ndoshta shkruaj ngaqë shpresoj të kuptoj pse jam kaq shumë i zemëruar me të gjithë ju, kaq shumë i zemëruar me secilin. Shkruaj ngaqë dua që të jem i lexuar. Unë shkruaj ngaqë kur të kem filluar një roman, një ese, një faqe, dua që ta mbaroj. Shkruaj ngaqë të gjithë presin nga unë që të shkruaj. Shkruaj ngaqë kam një besim fëmijëror në pavdekësinë e bibliotekave dhe në mënyrën se si rrinë librat në rafte. Shkruaj jo që të rrëfej një tregim, por që të krijoj një tregim. Shkruaj ngaqë dua të iki nga parandjenja se ka një vend ku duhet të shkoj, por që – si në ëndërr – nuk mund të zë vend atje. Shkruaj ngaqë nuk ia kam dalë asnjëherë të jem i lumtur. Shkruaj që të jem i lumtur.

Një javë pasi kishte hyrë në zyrën time dhe më kishte lënë valixhen, im atë erdhi për të më bërë edhe një vizitë. Si gjithmonë, edhe këtë herë më kishte sjellë një çokollatë (kishte harruar se kisha mbushur 48 vjet). Si gjithmonë, llafosëm dhe qeshëm me jetën, politikën dhe thashethemet familjare. Arriti një çast kur sytë e babait u kthyen nga skuta ku ai e kishte lënë valixhen dhe e vërejti se unë e kisha lëvizur atë. Shikuam njëri-tjetrin në sy. Nuk ia thashë se e kisha hapur valixhen dhe isha përpjekur ta 1exoja përmbajtjen e saj, në vend të kësaj, m’u thye shikimi. Por, ai e kuptoi. Mu ashtu siç e kuptova se ai e kishte kuptuar. Mu ashtu siç kuptoi ai se e kisha kuptuar se ai e kishte kuptuar. Por, ky të kuptuar vajti vetëm për aq sa mund të shkojë për pak sekonda,ngaqë babai ishte njeri i gëzuar, i lehtë, që kishte besim në vetvete, ai vetëm buzëqeshi, ashtu siç më buzëqeshte gjithmonë. Dhe, kur po ikte nga shtëpia, ai përsëriti ato gjëra të bukura dhe inkurajuese që m’i thoshte gjithmonë si baba.

Si gjithmonë, po e shikoja të ikte, duke ia pasur lakmi për lumturinë e tij, për temperamentin e tij të shkujdesur dhe gjakftohtë. Por më kujtohet se atë ditë kishte edhe një ndjenjë gëzimi brenda meje që më bënte të turpërohesha. Ajo shkaktohej nga mendimi se, mbase, unë s’isha aq i rehatshëm në jetë nga ç’kishte qenë ai, mbase nuk kisha bërë një jetë aq të lumtur dhe aq të lehtë sa ai, por se ia kisha kushtuar atë shkrimit – ju e kuptoni… Më vinte turp të mendoja gjëra të tilla në llogarinë e babait tim. Nga të gjithë njerëzit, im atë, i cili nuk kishte qenë kurrë burim i dhembjeve të mia – (që më kishte lënë të lirë. E tërë kjo duhet të na e kujtojë se shkrimi dhe letërsia janë ngushtë të lidhura me një mangësi në qendër të jetës sonë dhe me ndjenjat e lumturisë dhe fajit).

Por tregimi im ka një simetri që më rikujtoi aty për aty diçka tjetër atë ditë dhe që më solli një ndjenjë edhe më të thellë të fajit. Njëzet e tre vjet pasi që babai im më la valixhen e tij, dhe katër vjet pasi e kisha vendosur, në moshën 22vjeçe, të bëhesha romancier dhe pasi kisha braktisur çdo gjë tjetër, pasi që u mbylla në një dhomë dhe mbarova romanin tim të parë, Xhevdet bej dhe të bijtë, ia dhashë me duart që më dridheshin babait tim dorëshkrimin e romanit ende të pabotuar, që ai të mund ta lexonte dhe të më thoshte se çfarë mendonte. Kjo nuk ishte thjesht ngaqë kisha besim në shijen e tij dhe në intelektin e tij: mendimi i tij ishte shumë i rëndësishëm për mua, ngaqë ai, jo si nëna ime, s’kishte qenë kundër dëshirës sime për t’u bërë shkrimtar. Në atë pikë babai im nuk ndodhej me ne, ishte larg. Unë e prita me padurim të kthehej. Pasi u kthye, dy javë më vonë, vrapova t’ia hapja derën. Babai nuk tha gjë, por më përqafoi ashtu që më bëri të ditur se i kishte pëlqyer shumë. Për një çast, ne kishim rënë në njëfarë heshtjeje të përçudshme që shpesh përçon çastet e emocioneve të mëdha. Pastaj, kur kishim pushuar dhe zumë të flisnim, babai u pushtua nga një gjuhë e ngarkuar dhe ekzagjeruese për ta shprehur besimin e tij në mua apo romanin tim të parë: ai më tha se një ditë do ta merrja çmimin për të cilin jam këtu për ta marrë me një lumturi kaq të madhe. Ai e tha këtë jo ngaqë po përpiqej të më bindte për mendimin e tij të mirë, apo për të vënë këtë çmim si qëllim. Ai e tha këtë si një baba turk që mbështet të birin, duke i dhënë kurajë me fjalët, ‘një ditë ti do të bëhesh pasha!’. Me vite, sa herë që më shihte, më inkurajonte me të njëjtat fjalë.

Babai më vdiq në dhjetor 2002.

Sot, kur po qëndroj para Akademisë Suedeze dhe para anëtarëve të dalluar që më kanë dhënë këtë çmim të madh – këtë nder të madh – dhe të ftuarit e tyre të dalluar, sa do ta dëshiroja që ai të ishte në mesin tonë.

Marrë nga revista “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carmen Boullosa: Në Amerikën Latine ekzistojnë dy tradita letrare që…