Valmir Veliu, “ylli i javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Bankën Kombëtare Tregtare, BKT Kosova, vazhdojnë të ndajnë çmimin “ylli i javës”, për lojtarin më të mirë të xhiros.
“Ylli i javës” i xhiros së 10-të në BKT Superligë është shpallur futbollisti Valmir Veliu, anëtar i KF Llapi.
21-vjeçari, është ndër lojtarët më të spikatur të skuadrës llapjane si me lojën e shfaqur, ashtu edhe me golat e asistimet e tij. Veliu shënoi 2 gola dhe bëri një asistim në ndeshjen e javës së 10-të që skuadra e tij e mposhti FC Ulpianën me rezultat të thellë 0-6.
Me këtë fitore Llapi është këndellur dhe ka dalë nga zona e rrezikshmërisë në BKT Superligë. Çmimin “ylli i javës” për sulmuesin e skuadrës së Llapit e dorëzoi Bashkim Kurti, menaxher i degës së BKT-së në Podujevë.