Valon Murati përkrah fushatën “Lugina do zgjidhje”
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati, ka pritur të mërkurën në një takim pune udhëheqësit e fushatës “Lugina do zgjidhje”, me të cilët ka diskutuar për rezultatet e deritanishme të fushatës si dhe për platformën e Lëvizjes për Bashkim lidhur me bisedimet me Serbinë, ku përfshihet reciprociteti në mes të tri komunave në veriun e Kosovës: Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq dhe tri komunave të Kosovës Lindore: Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Në këtë takim kryetari Murati ka shprehur shqetësimin e Lëvizjes për Bashkim për mungesën e platformës së institucioneve të vendit, e rrjedhimisht, mospërfshirjen e problemit të Kosovës Lindore në bisedimet e tyre me Serbinë.
“Gjithashtu, ishte qëndrim i përbashkët se e vetmja zgjidhje afatgjate për problemin shqiptaro-serb mund të jetë ajo që arrihet mbi parimin e reciprocitetit”, ka thënë lideri i LB-së.
Murati ka shprehur edhe një herë mbështetjen e parezervë të Lëvizjes për Bashkim për fushatën “Lugina do zgjidhje” dhe e përshëndeti deklaratën e përfaqësuesve të komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Palët u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin në funksion të përfshirjes së çështjes së Kosovës Lindore në agjendën e bisedimeve dhe përfshirjen e sa më shumë faktorëve politikë, por edhe të shoqërisë civile e medies, në këtë çështje.
/Epoka e re/