
Valon Murtezaj me mesazh të fortë për LDK-në: Koha për reflektim dhe veprim demokratik
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe profesori universitar në Paris, Valon Murtezaj, ka dalë me një analizë të thellë mbi gjendjen e partisë dhe sfidat e saj aktuale.
Ai bën thirrje për reflektim të sinqertë, përgjegjësi dhe veprime konkrete për të rivendosur besimin dhe unitetin brenda LDK-së.
Murtezaj ka shkruar në Facebook se dallimet e brendshme e kanë vendosur partinë në një moment kritik, ku askush nuk mund të ecë vetëm.
Ai apelon për bashkim rreth vlerave të lirisë dhe demokracisë, të cilat e kanë udhëhequr LDK-në që nga themelimi.
“Vendimet që marrim tani do të formësojnë të ardhmen tonë. Kjo nënkupton marrëdhëniet tona, besimin dhe reputacionin tonë si LDK. Përballja me gabimet dhe pranimi i përgjegjësisë është lidership. Asnjë prej nesh nuk është pa gabime, por njohja e tyre nuk është shenjë dobësie, përkundrazi, është hapi i parë drejt rindërtimit të një LDK-je më demokratike dhe më të fortë,” shkruan ai.
Ai kritikon çdo tendencë për centralizim të pushtetit dhe eliminim politik, duke kërkuar një qasje të re të bazuar në meritokraci, transparencë dhe sjellje etike. “Lidershipi nuk është veç emotikon. Lidership është të ndërtosh bashkim të vërtetë dhe konstruktiv, të dëgjosh pa paragjykime dhe të veprosh me përgjegjësi.”
Duke u mbështetur në trashëgiminë e Presidentit Ibrahim Rugova, Murtezaj nënvizon se LDK duhet të mbetet besnike ndaj vlerave të saj themelore dhe të veprojë në mënyrë demokratike. Ai shpreh bindjen se me unitet dhe përkushtim, LDK mund të tejkalojë sfidat dhe të rifitojë besimin e qytetarëve.
Murtezaj, i dekoruar me urdhrin më të lartë nga presidenti francez Emmanuel Macron, është një nga zërat kritikë brenda LDK-së, që kërkon ndryshim dhe forcim të demokracisë së brendshme në parti.
Në përfundim, ai bën thirrje për një qasje kolektive ndaj sfidave dhe riafirmimin e angazhimit për demokraci dhe drejtësi. “Koha është tani që të riafirmojmë përkushtimin tonë për bashkëpunim dhe të ndërtojmë një të ardhme të bazuar në liri dhe drejtësi. Forca jonë kolektive është më e madhe se çdo pengesë që kemi përpara.”