![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/06/syla.jpg)
Valon Syla e mund në gjyq Shpejtim Bulliqin
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në maj të këtij viti e kishte paditur për shpifje dhe fyerje gazetarin Valon Syla.
Ai kishte kërkuar 15 mijë euro kompensim dhe kishte propozuar caktimin e masës së sigurisë ndaj Sylës.
Gazetari Syla, pak më parë, ka bërë me dije se e ka fituar gjyqin ndaj Bulliqit.
“Gjyqin ndaj Bulliqit e fitova sot. Sa për info. Faleminderit avokatëve Visar Ramaj edhe e veçanta Jehona Gjergji”, ka shkruar Syla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Syla është paditur nga Bulliqi, pasi në emisionin “Pressing”, në tetor të viti 2021, kishte deklaruar se “Bulliqi ia ka vjedhur fëmijëve bojën e shkollës”.
Në padi ishte thënë se Syla fyerjet dhe shpifjet kundër paditësit Bulliqi i ka vazhduar edhe në rrjetin social “Facebook” me fjalët “hajduk, mashtrues e uzurpator”.
Pala mbrojtëse e Bulliqit, pretendonte se këto fjalë i kanë shkaktuar kryetarit Bulliqi, dhimbje të rënda shpirtërore të cilat e kanë dëmtuar në aspektin moral paditësin dhe i kanë cenuar autoritetin, e për çka është e domosdoshme caktimi i masës së sigurisë.