Valverde: E merituam fitoren ndaj Interit

03 tetor 2019 | 15:13

“Konte do të thotë ‘jo’, por për mua rezultati është i drejtë. Interi luajti mirë në pjesën e parë, por në të dytën u shfaqëm ne. Zikaltrit janë një skuadër e madhe. Në kampionat kanë fituar gjashtë ndeshje nga gjashtë dhe ndaj nesh treguan cilësitë e tyre. Messi? Është unik. Kemi gjithnjë nevojë për të. I mungonte pak forma, por po riaftësohet”, ka thënë Ernesto Valverde pas fitores ndaj Interit.

Megjithatë, trajneri i Barcelonës nuk është veçanërisht i kënaqur me lojën e katalanasve. “Goli i Lautaros e vendosi ndeshjen në favorin e Interit dhe e forcoi shumë pozicionin e tyre. Ata janë një skuadër shumë e fortë. Janë të parët në kampionatin italian, duke i fituar të gjitha ndeshjet e deritanishme. Na e bënë jetën të vështirë, por ne ishim më mirë në pjesën e dytë”, ka shtuar ai.

“Na u desh që ta transformonim ndeshjen me kalimin e minutave. E kontrolluam lojën me Busquetesin, Arturin dhe De Jongun, por nuk kishim hapësirë për të luajtur. Ne duhet të kishim më shumë se një kërcënim në zonën e tyre dhe të tregoheshim decizivë në 1/3-tat finale të fushës. Ata na mbajtën të distancuar nga porta e tyre, por ne arritëm që ta përmbysnim. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë është t’i korrigjojmë gjërat që nuk po ecin mirë. Ata në fushë janë përgjegjësit për të gjitha këto dhe jo unë”, ka deklaruar Valverde.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit