Van Dijk: Turp që nuk e fituam trofeun
Virgil Van Dijk kërkonte të fitonte një tjetër trofe të rëndësishëm në këtë sezon. Pasi u shpall kampion Evrope me Liverpoolin, holandezi dëshironte të kishte sukses edhe me kombëtaren e tij. Por, kjo nuk ndodhi dhe mbrojtësi shtatlartë i portokallinjve nuk fshehu zhgënjimin pas ndeshjes.
“Është një turp që humbëm, pasi donim të fitonim këtë trofe. Nuk duhet kurrsesi të kishim dalë duarbosh nga kjo finale. Por, komplimente skuadrës, pasi jemi rritur shumë duke luajtur të bashkuar. Kemi një marrëdhënie të mirë me njëri-tjetrin brenda dhe jashtë fushe. Kjo gjë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Van Dijk.
“Ndeshja? Kishim rastet tona, edhe pse mund të them se nuk ishte një nga ndeshjet tona më të mira. Duhet të kishim luajtur më shpejt në disa momente. Krijuam shumë hapësira prapa. Gjithsesi, tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të mendojmë për kualifikueset e Evropianit”, ka deklaruar Van Dijk.