Van Dijk: U zhgënjeva pak që fitoi Messi
Mbrojtësi i Liverpoolit zbulon për “Mirror” se e ka vuajtur triumfin e gjashtë të Lionel Messit në karrierë. I freskët nga suksesi në Botërorin e Klubeve, fituar nga “Reds”-at ndaj Flamengos, Van Dijk zbulon anekdotën e mbrëmjes gala në Paris, në të cilën ai përfundoi i dyti, me diferencën më të ngushtë në histori nga vendi i parë.
“E pranoj, mbeta pak i zhgënjyer që nuk e fitova ‘Topin e Artë’, por vendosa gjithsesi që të shkoja në ceremoni dhe në fund ishte një mbrëmje speciale. Për mua është një rezultat i madh që mbërrita të jem mes ikonave më të mëdha të botës së futbollit”, ka thënë mbrojtësi për “Mirror”.
Pastaj diskuton bisedën me Messin: “Folëm gjatë mbrëmjes. Nuk ishte biseda më e gjatë që kam bërë ndonjëherë, sepse ai nuk flet shumë anglisht. Por ishte e mjaftueshme për të kuptuar se respekti mes nesh tashmë është reciprok”. Duke folur për klubin, fituesin e Champions-it, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve, holandezi thotë: “Ky grup është në mënyrë të pabesueshme i bashkuar. Ashtu siç ka thënë në të shkuarën Milneri, ky është sekreti ynë. Dhe ai ka qenë në klube të mëdha si Manchester City, Newcastel dhe Aston Villa. Jemi një familje e madhe. Për këtë arsye ky klub është fantastik për mua. Janë të gjithë njerëzit modestë. Legjendat e Liverpulit vijnë dhe na takojnë shumë shpesh. Në çdo ndeshje është njëri prej tyre. Kjo është diçka unike”.