Van Gaali flet për sëmundjen me kancer: Jam i emocionuar, kam lot në sy
Trajneri holandez Louis van Gaal, i cili javën e kaluar njoftoi se vuante nga kanceri i prostatës, siguroi të hënën për gjendjen e tij shëndetësore, duke thënë në veçanti se seancat e tij të kimioterapisë, si dhe operacioni, kanë qenë të suksesshme.
“Kam bërë 25 seanca kimioterapie. Pastaj më duhej të prisja pesë ose gjashtë muaj për të parë nëse funksiononte. Ishte çdo gjë mirë”, ka thënë Van Gaal, cituar nga agjencia holandeze e lajmeve “ANP”.
Van Gaal zbuloi të dielën e kaluar se vuante nga kanceri i prostatës që nga viti 2020, ndërsa siguroi se sëmundja nuk do ta pengonte të shkonte në Katar për Kupën e Botës (21 nëntor-18 dhjetor).
“Këto seanca kimioterapie ishin lënë pas meje përpara nënshkrimit të kontratës me KNVB (Federata Holandeze) në gusht”, ka deklaruar Van Gaal, i pyetur nga televizioni publik ‘NOS’ të hënën në mbrëmje, në premierën e filmit të tij “Louis në Amsterdam”.
Njoftimi për sëmundjen e ish-trajnerit të Ajax Amsterdamit, Barcelonës, Bayern Munchenit dhe Manchester Unitedit kishte shkaktuar emocione të mëdha në mbarë botën e futbollit. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të kishte pasur një ndikim të tillë në botë”, ka deklaruar për ‘NOS’ tekniku, i cili duhej t’i nënshtrohej një operacioni në shkurt. “Më duket e pabesueshme. Unë emocionohem për këtë. Kam lot në sytë e mi. Gjithashtu, ka energji që kaq shumë njerëz kujdesen për mua”, ka deklaruar ai për të gjitha shenjat e mbështetjes që ka marrë.