Van Gelder: S’janë kushtet që Banka Botërore të mbështesë termocentralin “Kosova e Re”
Linda Van Gelder, Drejtoreshë Regjionale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se kufizimet e rrepta që i ka BB-ja nuk lejojnë ta mbështesë projektin për termocentralin Kosova e Re.
Ajo ka thënë se nga Banka Botërore asnjëherë s’ka pasur deklaratë nëse Kosova duhet të vazhdojë me ndërtimin e këtij termocentrali apo jo, por ka përsëritur se “procedurat nuk na lejojnë ta mbështesim”.
“Me lejoni ta sqaroj pak. Së pari, jam plotësisht dakord se energjia e besueshme, e përballueshme dhe e sigurt, është një prioritet i lartë zhvillimor për Kosovën. Banka Botërore ka një sërë kufizimesh shumë të rrepta, sipas të cilave ne do të mund të siguronim financim për gjenerim të energjisë nga thëngjilli. Për fat të keq, nuk janë kushtet për mbështetjen tonë. Por, ne nuk kemi bërë ndonjë deklaratë nëse qeveria duhet të vazhdojë me ndërtimin e termocentralit ose jo”, ka thënë ajo.
Van Gelder ka thënë se mbështetja e Bankës Botërore për Kosovën në fushën e energjisë është e fokusuar në efikasitetin e energjisë.
“Mbështetja jonë për Kosovën në fushën e energjisë, është aktualisht e fokusuar në efikasitetin e energjisë, ku ne përkrahim përmirësimin e efikasitetit të ndërtesave, sidomos të universiteteve dhe spitaleve, si dhe po mbështesim qeverinë në synimin e saj që të diversifikojë burimet energjetike, duke u larguar prej thëngjillit dhe duke përfshirë burimet e ripërtërishme”, ka ka thënë Van Gelder në emisionin “Interaktiv”.
Po ashtu ajo ka thënë se ndotja është shqetësim për të gjithë qytetarët dhe se këtë javë do të mbahet një event në Maqedoninë e Veriut ku do të shqyrtohet ndotja e ajrit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.