![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/JD-Vance.jpg)
Vance thotë se Rusia mund të goditet me sanksione dhe veprime ushtarake nëse refuzon marrëveshje me Ukrainën
Zëvendëspresidenti JD Vance, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin Rusinë me “mjete ekonomike dhe ushtarake” nëse lideri rus Vladimir Putin nuk negocion një marrëveshje paqeje me Ukrainën në mirëbesim.
Duke folur për “Wall Street Journal”, Vance ka thënë se opsioni i dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë ishte “në tryezë”, si dhe ndëshkimi ekonomik nëse një marrëveshje paqeje nuk garanton pavarësinë afatgjatë të Kievit.
“Ka mjete ekonomike, ka sigurisht mjete ushtarake”, ka thënë Vance.
Komentet e tij kanë një ton të ndryshëm nga deklaratat e tjera të fundit nga Shtëpia e Bardhë, përfshirë nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili ka sugjeruar këtë javë se Ukraina “mund të jetë ruse një ditë”, pak përpara se të njoftonte se negociatat e paqes do të fillonin menjëherë pas një telefonate me Putinin.
Deklarata e Vance bie gjithashtu në kontrast me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili ka thënë se ShBA-ja nuk do t’i jepte më prioritet sigurisë evropiane dhe ukrainase.
Intervista e “Wall Street Journal” është publikuar përpara se Vance të takohej me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Konferencën e Sigurisë së nivelit të lartë në Mynih në Gjermani.
Me të mbërritur në Mynih Vance, ka thënë se NATO mbetet një aleancë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara.
“Evropa është sigurisht një aleat shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, NATO është një aleancë shumë e rëndësishme ushtarake … por ne duam të sigurohemi që NATO të ndërtohet për të ardhmen dhe pjesë e kësaj është sigurimi që NATO të bëjë pak më shumë ndarje të barrës në Evropë, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mund të fokusohen në disa nga sfidat tona në Azinë Lindore”, ka thënë Vance, duke folur para gazetarëve pranë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.