![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/vangjeli-1.jpg)
Vangjeli: Shpresoj që gjithë përvojën time t’ia përcjell Prishtinës
36-vjeçari është futbollisti më i ri i skuadrës së Prishtinës. Ai beson se gjithë përvojën ndërkombëtare do t’ia përcjellë kampiones së Kosovës.
Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Kristi Vangjeli, është futbollist i ri i skuadrës së Prishtinës. Mbrojtësi shqiptar është paraqitur të enjten nga klubi “bardhekaltër”. Vangjeli ka premtuar se do të mundohet që të gjithë përvojën ndërkombëtare të sjellë në skuadrën më të madhe në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e klubit më të madh në Kosovë. Ndihem mirë që do të vazhdoj ta vesh fanellën ‘bardhekaltër’. Kjo është një kënaqësi më tepër. Vijë në një ekip kampion dhe shpresoj që gjithë atë përvojë dhe forcën në karrierën time t’ia përcjell ekipit këtu, të ndihmoj në maksimum, qoftë për ta arritur kalimin e turneve në Evropë, qoftë për të arritur prapë objektivin kryesor të klubit, titullin e kampionit”, ka thënë Vangjeli për faqen zyrtare të skuadrës së Prishtinës, i cili më pas ka bërë me dije se lojtarët nga Shqipëria që janë pjesë e Prishtinës kanë ndikuar që ai t’i thotë “po” ofertës së kampiones së Superligës. “Për ardhjen time kanë ndikuar edhe shokët që kam pasur në skuadra si Lilaj, Mici, Abazi e Muça, duke këmbëngulur edhe klubi që të më ketë në radhët e veta, duke shprehur besim në mua, plus që është ekip që lufton gjithmonë për titullin e kampionit. Dhe kjo më obligon që të shtyj më shumë forcën time”, ka shtuar ai.
Në fund, Vangjeli foli edhe për moshën e tij: “Sa për moshën time, shpresoj të tregojë vetë fusha moshën time. Besoj se jam dhe ndihem ashtu sikur verëra sa më e vjetër aq më e mirë. Shpresoj këtë ta tregoj në fushë dhe mos t’ia lë asnjë tifozi apo analisti për të ma përmendur moshën time”.
Futbollisti nga Korça ka lindur në vitin 1985 dhe është futbollist i dalë nga akademia e Aris Selanikut, pjesë e së cilës ishte nga viti 2003-2011 dhe 2013/14, Chernomorets Ukrainë 2011-2013, Skënderbeu Korçë 2014-2016 dhe 2016-2019, Astra Giurgiu Rumani 2016, Adelaide Australi 2019 dhe së fundi në KF Tirana 2019-2021.
/EPOKA E RE/