Vannesa Fraizer përmbyll angazhimin si kryesuese e KS të OKB-së, Reka e quan zonjë të hekurt
Përfaqësuesja e përhershme e Maltës në OKB, ambasadorja Vannesa Fraizer, ka përmbyllur udhëheqjen e saj njëmujore si kryesuese e Këshillit të Sigurimit.
Në drekën e punës që ishte organizuar për këtë ngjarje, ishin të ftuar rreth 40 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së, në mesin e tyre ishte edhe shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka.
Ky i fundit tha se Fraizer ka treguar udhëheqje të shkëlqyer si kryesuese e Këshillit të Sigurimit në mandatin e saj njëmujor.
“Me ambasadoren Vannesa Fraizer, përfaqësuese e përhershme e Maltës në OKB. Udhëheqje e shkëlqyer e Këshillit të Sigurimit, nga kjo diplomate zonjë e hekurt që guximshëm mbronte parimet nga foltorja e organit kryesor të kombeve të bashkuara. Dje, në drekën e punës në përmbyllje të presidencës mujore të saj me KS, me pjesëmarrjen e rreth 40 ambasadorëve të shteteve anëtare të OKB-së”, ka shkruar Reka në “Facebook”.
Vannesa Fraizer në mbledhjen e fundit të KS-së u tregua e guximshme, sa që i mëshonte tavolinës kur i replikonte me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqit në raport me ngjarjet në Kosovë.