VAR-i në edicionin e ardhshëm do të jetë në Superligë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka konfirmuar se qysh në edicionin e ardhshëm Superliga do të jetë me VAR dhe ka paralajmëruar ndryshime në postin e përzgjedhësve të kombëtareve.
“Dardanët” vitin që lamë pas ishin në formë jo të mirë, duke fituar vetëm një ndeshje, një barazim dhe regjistruar katër humbje.
Ademi për lajmi.net paralajmëroi ndryshime në postin e trajnerëve dhe se vetëm rezultatet i mbajnë ‘gjallë’ ngase kërkohet fitore.
“Sigurisht, do të ketë lëvizje dhe ndryshime gjithmonë për të mirë sepse tashmë kërkohet rezultat dhe unë jam udhëtar i fitoreve. Kemi krijuar mentalitetin e fituesit. Rezultatet të mbajnë në secilin post dhe secilin vend, kështu që me këtë parim do vazhdojmë edhe me trajnerët tonë dhe grupet tona, të gjitha që nga U21 e ndoshta edhe te A-ja do këtë lëvizje, por nga kategoritë do kërkojmë rezultat”, deklaroi fillimisht ai.
Ndërsa, tutje ai konfirmoi se edicionin e ardhshëm do të jemi me VAR-in në Superligën e Kosovës dhe tashmë trajnimi ka nisur.
“Me VAR-in tashmë kemi filluar, kemi nisur trajnimi dhe bisedimet me njerëzit kompetent në UEFA dhe FIFA për VAR. Jemi duke bërë çmos që sezonin e ardhshme të jemi me VAR, mund të jemi pa të në dy ose tri xhirot e para, por do e kemi edicionin e ardhshëm edhe pse nuk e kemi infrastrukturën aq të mirë, gjithsesi do shkojmë me gjëra mobile, me VAR-in mobil, pra mjet lëvizës që do shkojë para çdo stadiumi siç janë kampionat transmetues për të përcjellë VAR-in dhe ta mbulojmë tërë Superligën”, u shpreh Ademi.
Ndërkohë, kujtojmë se lideri momental i Superligës së Kosovës është Drita.