Varadkar: Ligji për abortet, në fuqi brenda fundvitit
Ligji i ri për abortin do të hyjë në fuqi brenda këtij fundvitit. Ky është premtimi i kryeministrit irlandez, Leo Varadkar, pas fitores së shënuar në referendumin e mbajtur një ditë më parë për përmbysjen e ndalimit kushtetues të abortit në vend.
Legjislacioni i ri do të lejojë abortin gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë dhe deri në javën e 24 në rrethana të veçanta. Ministri irlandez i shëndetësisë, Simon Harris, do të kërkojë mbështetjen e kabinetit të enjten për të hartuar një ligj të ri.
Kryeministri Varadkar, ka thënë se ndërkohë se e shtuna do të kujtohet si dita kur Irlanda mori përsipër përgjegjësitë e saj si vend. “Dita kur Irlanda u çlirua nga e fundit prej hijeve të saj dhe doli në dritë. Dita kur ne dolëm nga e kaluara, dita kur zumë vendin që na takon mes kombeve të botës”, ka deklaruar ai.