Varane dëshiron të largohet nga Reali
Raphael Varane po mendon largimin nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Kështu shkruan e përditshmja franceze “L’Equipe”, sipas së cilës, mbrojtësi kampion bote me “Gjelat” po kërkon sfida të reja, edhe pse në bankinën e klubit mbretëror është kthyer Zinedine Zidane.
Në fillim të sezonit të kaluar Varane rinovoi kontratën deri në qershor të vitit 2022, por situata e krijuar së fundmi me daljen nga lufta për trofe në të gjitha kompeticionet ka ndikuar në anën psikologjike të lojtarit.
Klubi që dëshiron shërbimet e 25-vjeçarit duhet të arrijë një marrëveshje me Realin, ose ta paguajë klauzolën e largimit 200 milionë euro, një shifër kjo e pajustifikueshme për një mbrojtës. Kartoni i Varanes, i cili mbush 26-vjeç në muajin prill, vlerësohet 80 milionë euro.