Varfëria, papunësia dhe çmimet, problemet kryesore të qytetarëve sipas anketës së UNDP-së
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar edicionin e 26 të Përmbledhjes të Pulsit Publik në një konferencë për media të mbajtur të enjten.
Anketimi i opinionit të Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë. Të dhënat për këtë përmbledhje janë mbledhur nga 17 prilli deri më 7 maj 2024, duke reflektuar opinionin e mbi 1,300 të anketuarve që mbulojnë të tridhjetë e tetë komunat, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale, dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e Kosovës.
Varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7%), u regjistruan si tre çështjet kryesore. Shërbimet e kujdesit shëndetësor (7.8%) dhe mjedisi (5.6%) plotësuan pesë problemet kryesore.
Për shqiptarët e Kosovës, tri çështjet kryesore ishin papunësia (16.8%), varfëria (16.6%) dhe çmimet për furnizimet esenciale (12.8%). Për serbët e Kosovës, varfëria (15.2%), problemet e hapësirës urbane (13.8%) dhe marrëdhëniet ndëretnike (13.3%) ishin tri çështjet kryesore, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës, çështjet kryesore ishin varfëria (19.5%), furnizimi me energji elektrike. (14.2%) dhe problemet e hapësirës urbane (11.1%).
Një rritje si në Indeksin e Demokratizimit (ID-ja) ashtu edhe në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (IBE-ja) u regjistrua në anketën e fundit të opinionit me ID që aktualisht qëndron në 1.62 dhe IBE në 1.21. 27.3% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin ekonomik, ndërsa 36.33% e të anketuarve janë deklaruar se janë shumë të kënaqur apo të kënaqur me drejtimin politik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.
Mesatarisht, 19.9% e të anketuarve kanë perceptuar se ekziston korrupsioni në shkallë të gjerë. Policia e Kosovës me 12.40% është perceptuar si institucioni më pak i korruptuar, e ndjekur nga organizatat ndërkombëtare me 13.70%.
Raporti i plotë: