Vargje lapidare për heronj të vërtetë

15 tetor 2024 | 12:06

Shkruan: Sevi Agolli nga Tirana

Vëllimi me poezi “Palca e gurit”, i autorit Ismet Rashiti, përmban tetë cikle me poezi, me tematika të ndryshme, si: “Palca e gurit”, “Heronjtë e mi”, “Heronjtë në këngët e kënduara”, “Yje të lirisë”, “Dedikim”, “Kultura dhe arti”, “Zjarri që djeg dhe diellin” dhe “Revoltë”. Në këtë vëllim me poezi, të krijuara në dekada të ndryshme të jetës së autorit, vendin kryesor ose palcën e tyre e përbën Kosova, vendlindja e autorit, gurët, dielli, qielli, era, toka e vendit të tij. Dhe pikërisht me ciklin “Palca e gurit” hapet edhe ky vëllim, që është dhe titulli i kësaj përmbledhjeje me poezi. Me anë të një metafore mjaft të gjetur, “Palca e gurit”, autori nënkupton Kosovën, vendin mëmë, tokën që e lindi dhe e rriti, heronjtë dhe atdhetarët e saj që luftuan për të. “Nga palca e gurit kam dalë,/E shkëmb në tokën time jam!” – thotë autori nëpërmjet këtyre vargjeve, që vijnë si një thirrje, si një klithmë, se as shekujt e mizoritë nuk e shkulin dot nga vendi i tij. Në këtë vëllim me poezi gjen vargje lapidare për tokën e tij ujitur me gjak; gjejmë thirrje e revoltë ndaj atyre barbarëve, që duan t’i shkulin shqiptarët me të padrejtë nga trojet e tyre. Por rrënjët e tyre janë aq të lashta, sa askush nuk mund t’i shkulë e t’i shfarosë ata. Gur mbi gur, palcë mbi palcë, shqiptarët janë një kala e pamposhtur ndër shekuj.

Në ciklin e dytë dhe të tretë gjejmë vargje lapidare për heronj të vërtetë, që luftuan me armë e penë për lirinë e popullit shqiptar, si Skënderbeu, Hasan Prishtina, Idriz Seferi, UÇK-ja, Ukshin Hoti etj. /Mos e prek Heroin tim, /Që më ktheu nderin / Në kontinentin tim të vjetër, /Të humbur pa të drejtë, /Për pesë shekuj!/ – bën thirrje me forcë autori, për paprekshmërinë dhe pacenueshmërinë e këtyre heronjve, të cilët gjendjen në panteonin e njerëzve të shquar që ka nxjerrë populli shqiptar.

Cikli i katërt dhe i pestë përmban poezi kushtuar atyre njerëzve të thjeshtë të popullit, që, në mënyra të ndryshme, luftuan për lirinë e Kosovës apo u vranë padrejtësisht, vetëm për faktin se ishin shqiptarë. Këto dy cikle u kushtohen heronjve të përditshmërisë, ku bëjnë pjesë njerëz që nuk e pranuan sundimin e rëndë serb, nuk u bënë palë me të për hir të favoreve që mund të kishin, por me punën dhe veprën e tyre mbështetën luftëtarët dhe atdhetarët e lirisë. Ndër këta heronj të përditshmërisë janë edhe nëna, gruaja, bashkëshortja, babai, njerëzit e ndershëm e punëtorë, që sakrifikuan, sakrifikojnë, punojnë e luftojnë çdo ditë për familjen, fëmijët, të afërmit dhe vendin.

No description available.

Cikli i gjashtë dhe i shtatë përmban vargje lirike kushtuar figurave të mëdha të artit dhe kulturës shqiptare, të cilat me penën dhe veprimtarinë e tyre e ngritën lart emrin “Shqiptari”. Këto figura janë Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu, valltari Abdyl Rama etj. Në poezitë e ciklit të shtatë gjejmë vargje aq lirike dhe të fuqishme njëkohësisht kushtuar ndjenjës “së zjarrtë që djeg dhe diellin”: dashurisë. “Pikë në zemër më ke mbetur” – thotë autori, ku me anë të kësaj metafore shpreh mallin, brengën, ndjesinë që lë te njeriu ndjenja e zjarrtë të dashurisë.

Cikli i fundit i këtij vëllimi përmban revoltën dhe protestën e autorit ndaj dukurive negative të jetës, ndaj padrejtësive, hipokrizisë, maskave, humbjes së vlerave njerëzore. Janë vargje prekëse, tronditëse dhe ndërgjegjësuese njëkohësisht, që vlerat e njeriut duhet të kthehen në vend, qoftë sot, qoftë nesër, që “jeta të mos e humbasë kuptimin!”

Teksa lexon këto poezi, të dala nga “palca” krijuese e autorit, ndien shumë ndjesi njëherësh: ndien qëndresën, palëkundshmërinë, forcën, thirrjen, përkushtimin, humanizmin, dashurinë dhe dhembshurinë e tejskajshme për vendin dhe tokën që e lindi dhe e rriti, për njerëzit e saj që luftuan e luftojnë përditë për të; ndien mirënjohjen për heronjtë e përditshmërisë; ndien zjarrin që të jep ndjenja sublime e dashurisë; ndien dhimbjen për padrejtësitë që janë bërë ndaj vendit të tij dhe njerëzve nga pushtuesit mizorë; ndien sarkazmën për antivlerat njerëzore… Ndien tërë universin e ndjesive që një njeri mund të ndiejë, por që veç një poet mund t’i shprehë nëpërmjet vargjeve të tij, me një gjuhë mjaft të zhdërvjellët dhe një fjalor mjaft të pasur. Në këto vargje ndien përditshmërinë dhe njëkohësisht thellësinë poetike të një poeti…

No description available.

Te ky vëllim me poezi, me anë të një gjuhe mjaft të pasur, një leksiku të zgjedhur dhe një figuracioni letrat mjaft të gjetur, autori ka ditur ta shprehë kaq bukur këtë univers ndjesish dhe ndjenjash brenda tij. Nëpërmjet një figuracioni letrar të pasur, ku hasim përdorimin e dendur të metaforës, epitetit, personifikimit, simbolit, alegorisë, sarkazmës etj., si në poezitë Tkurrje, Palca e gurit, Kosovës sime, Përtej diellit, por edhe shumë poezi të tjera të këtij vëllimi, autori shpalos një univers ndjesish, duke përmbushur kështu misionin e një poeti: të ngjallë kënaqësinë estetike të leximit të tyre nga lexuesi, si dhe të përçojë emocione dhe mesazhe universale!

Lexuesit i uroj shijimin e këtyre vargjeve kaq të pastra dhe të ndiera, ndërsa autorit suksese në krijimtarinë e tij!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit Demokratike të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka…