VARGJE QË DESHIFROJNË KODIN E TRINISË SË PËRSHPIRTSHME

19 shtator 2018 | 11:38

MUHARREM MIFTARI

(Këndvështrim për librin poetik “Në fillim ishte drita” të poetit Sali Bashota)

Emri i Sali Bashotës, si poet dhe e studiues, është bërë i njohur jo vetëm brenda botës shqiptare. Them kështu duke pasur parasysh se poezia e tij është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe është vlerësuar lart dhe mirëpritur mirë.

Sali Bashota pa dyshim se është nga poetët më produktiv të sotëm. Ka të publikuar një mori veprash letrare (mbi tridhjetë sosh), por me këtë rast po ndalem te vëllimi poetik, më i veçanti dhe më emblematiku, “Në fillim ishte drita”, botuar në vitin që lamë.

Veçantia e këtij vëllimi, para së gjithash, konsiston në faktin se jo vetëm se në të trajtohet, fillim e fund, vetëm një temë, ajo e dashurisë, porse kjo temë trajtohet krejtësisht në mënyrë specifike, do të thosha origjinare.

Në poezitë e këtij vëllimi (të ndara në tre cikle: Si, Nëse, Kur), shpërfaqet bota e ndjeshme e subjektit lirik ndaj së dashurës, por edhe për dashurinë si koncept, përmes së cilës formësohet kuptimi i jetës.

Vetë titulli i vëllimit poetik “Në fillim ishte drita” sikur na asocionon diçka të tejjetshme, tejbotshme, tejkohshme, diçka që i përket të shenjtërishmes. Kjo na përforcon bindjen teksa kujtojmë thënien biblike: (“Në fillim ishte fjala… Gjon”).

Përkushtimin e tij ndaj dashurisë poeti na shpalos në vargjet e para, ku që në titull të poezisë së parë ai koncepton atë si “zjarr i shpirtit”, ku “mijëra yje ia kanë zili..”., për të vazhduar me po të njëjtin zell, që dashuria ka formën e “qiellit të ndritur”, por që, për ta formësuar profilin e saj “vetëm sytë… nuk mjaftojnë për portret”.

Por subjekti lirik befasohet kur fryma e saj vjen si shtimung frymëzues nga qiejt, “si përqafim yjesh” dhe shtron pyetje befasuese: “si zbrite nga qielli e hyre në poezi..”.

Dhe i shtangur nga një fenomen i tillë i formësuar prej “flakës së fantazisë”, subjekti lirik hamendësohet ndaj dhe shtron si dilemë: “Si ta pagëzojë këtë dashuri?” Ndërkaq, më në fund, poeti gjen enigmën e fjalës dashuri, sidomos kur ajo shfaqet “si uratë”, prandaj subjekti lirik thotë: “Fjala jote bëhet dritë e përjetësisë”.

Për dashurinë “zgjohen yjet” dhe, në një gjendje të tillë, “flet shpirti, flet dhe vetmia”, se për poetin e dashura “nuk është vetëm dhembje”, prandaj “fjala e poetit ndizet si dashuria/kur në horizont shfaqet e dashura”. Për ta përballur harrimin, që të mos i ngjajë atij, “qielli fton yjet për vallëzim”, ku në “tangon e përkëdheljeve të gjata” habiten se si “…shpejt bleron kujtimi…/në mëngjes dhe kur bie nata..”.. Ndërkohë që, kur “ylli i mëngjesit kërkon mot tjetër” për dashurinë, “as vetëtima as flaka nuk e djeg/imazhin e paharruar në perëndim të diellit”.

Ndërkaq, subjektin lirik e mundon dilema e frikshme nëse pas dehjes vjen zemërimi dhe, nëse vërtet ndodh kjo, atëherë poeti na paralajmëron fundin e fatit të baladave, duke profetizuar se në cilën ditë do të pësojnë ato: “Vërshimi i ujit të gjitha baladat i shemb/në ditën e nëntë të dashurisë”, ndonëse për poetin koha nuk ka përkufizimin e zakonshëm, për të koha ngelet statike, sepse “sa herë dashuron/dielli nuk perëndon”.

Megjithatë, poeti i qaset dashurisë si një proces dialektit, se dashuria nuk është diçka metafizike, ndaj ai deklaron se “dashuria nuk e ka gjithmonë të njëjtin shkëlqim/si në çastin e lumtur, si në çastin e hidhur”.

Prandaj, për subjektin lirik, ndjenja e dashurisë nuk e ka koloritin e njëjtë, se mallin për të dashurën “diçka e tremb” dhe na duket se poeti arrin në pikën e vetëdijes, ndërsa ndien se “dallgët e shqetësimit i zgjon nostalgjia”, se nga malli për të dashurën bën që “një yll në qiell të këlthet”

 Koncepti refleksiv mbi dashurinë

Poeti dashurinë e koncepton, veç të tjerash, edhe si fenomen, të cilit i qaset me një tonalitet refleksiv. Dashuria për subjektin lirik është komplekse si vetë jeta: “Jeta është si dashuria ime”. Asgjë nuk mund ta deshifrojë filozofinë e heshtjes dhe vetmisë sa dashuria, duke i dhënë fjalës fuqinë e “dritës së përjetësisë”.

Për subjektin lirik “dashuria është shtegtim/që rikthehet në shtratin e vet”. Poeti shtron dilemën për rolin dhe funksionin e dashurisë te njeriu. Ai shtron dilemën se “sikur të ishte dashuria me dietë/do të humbte peshë kënaqësia” për të vijuar më tej se “sikur të ishte dashuria vetëm lutje/ndoshta të gjithë do të binin në gjunjë pa ngurrim”.

Sipas poetit, aty “ku ka dhembje, ka dhe dashuri”, se “asnjë zjarr nuk e ka flakërimin e shenjtë/nëse dashuria hesht bashkë me shtrëngatën..”.

 Dashuria si hir i frymëzimit

Për dashurinë poeti ndien “pagjumësinë e fjalës”, ndërsa sjell kujtimin për të dashurën dhe jo vetëm kaq, ajo në raste të veçanta shndërrohej “metaforë midis brigjeve të fantazisë” ndërsa ndiente nevojën e krijimit të “imazhit të dashurisë së parë”. Por, kur ai injorohet “mbi supet e fjalës, ndjenjat protestojnë” dhe, në çaste vetmie, poeti ndien sikur “mjegulla e fjalës tretet” dhe, derisa “puthja e paftuar nuk vjen”, poeti frikësohet se “mund të pëlcasë dhe vargu”. Në këtë lloj përjetimi a ndjesie poeti sikur parandien se “enigmën e frymëzimit e valëvit era” dhe në çaste vetmie “mund të shkruhen poema të gjata”, ndërkohë që bindet se më në fund, “kur dremit vargu i secilit poet/për dashurinë, gjithçka mund të thonë”.

 Struktura e ndërtimit të tekstit poetik

Sa i përket strukturës së ndërtimit të vargut e të strofës, poeti sikur i ka vënë vetes detyrë që idenë, mesazhin ta shpërfaqë përmes një strukture tradicionale, me strofa katërshe, me vargje standarde tetërrokëshe, herë-herë duke e thyer atë.

Edhe për nga arsenali i figuracionit poetik, poeti Bashota ka përdorur një sërë figurash, si: metaforë, krahasim, epitet, simbol etj. përmes të cilave jo vetëm të shtyn të asocionosh, por duke u kujdesur edhe për tingujt, vargu i tij të nxitë ta lexosh edhe për muzikalitetin që krijon.

Pra vargu i poezisë rëndom është i matur dhe i ngjeshur me rimë të alternuar, duke krijuar kështu ritmin që shkakton muzikalitetin e vargut.

 Në vend të përfundimit

Derisa lexojmë vargjet e poezive të Bashotës, na ndërmendësohen vargjet e Orfeut, teksa përshkruante gjëllimin e natyrës, teksa portretizonte figurën e së dashurës. Natyrë të ngjashme vërejmë edhe te Dionisi, te vëllimi “100 poezi për dashurinë”.

Poeti Bashota nxjerr nga vargu i poetëve klasikë, sikundër janë Lasgushi dhe Agolli, frymën e këngëtimit mbi dashurinë jo vetëm si objekt trajtimi, por duke shtruar si koncept të meditimit poetik.

Më në fund, poeti zbulon se dashuria, që të ndiesohet dhe të kuptimësohet, transformohet në frymëzim, në varg, në poezi, ndaj dhe deklamon solemnisht: “Ti je vetë poezia”.

Teksa e lexojmë fund e krye vëllimin “Në fillim ishte drita” që, sikundër e thamë që në fillim, na asocionon me thënien biblike “Në fillim ishte fjala”, poeti Bashota ka dashur të na sjellë në mendje se, megjithatë, në brendi të fjalës është drita, që neve na vjen qoftë si mesazh, qoftë si frymëzim. Po kështu, ndërsa venerojmë ndërtimin e veprës, përmes tre cikleve: Si, Kur, Nëse… poeti Bashota, përmes sistemit të trinisë, që me këtë rast kujtojmë Hegelin me idenë e tij transcendentale të formës së kulluar, e cila arrihet duke kaluar prej vetvetes – jashtë vetvetes – për vetveten, mëton që, si idenë, mesazhin, ashtu edhe vargun, ta përçojë te lexuesi në mënyrë të kulluar.

(Marrë nga numri i katërt i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Han të Elezit…