VARGJET E LULZIM TAFËS JANË RRUGË, KUJTIME DHE ËNDRRA
Dr. Hristo Petrevski
(Përkitazi me librin poetik “Ti a ke dhembje” (Dali ti imas bolka) të Autorit nga Kosova Lulzim Tafa, botim në gjuhen Maqedone, Akademski pecat, shkup, 2018, fq. 87)
Siç na sugjeron edhe vetë titulli i librit “Ti a ke dhembje” fjala është për një realizim autentik të ngjeshur me lirikë dashurie (të rrëfyer), por edhe për këngëtime dhe pasqyrime për ekzistencën, jetën, përditshmërinë… Në mesin e preokupimeve poetike është njeriu, në këtë rast kryesore është vasha (gruaja) bashkë me emocionet, pasionet e trazuara… Poeti Lulzim Tafa shkruan në mënyrë të ndjerë (të ndjeshme), të përjetuar, të sinqertë, të ngrohtë… Sensibiliteti dhe sensiviteti i tij transformohet dhe derdhet pothuaj në secilën poezi të librit, ku dy fytyrat kryesore femërore Teuta dhe Ajkuna (Una) janë shtylla kryesore, si zjarri dhe flaka, por edhe frymëmarrje, përmallime, ëndrra, kënaqësi, kujtime…
Duke qenë gjithnjë i ballafaquar dhe i kryqëzuar në mes jetës dhe vdekjes, autori shkruan dhe përshkruan, deklamon dhe deklaron, konstaton dhe diagnostifikon, duke e ditur, duke kujtuar dhe duke potencuar se “kur zemërohen zotërat/ lindin poetët”. Metafora dhe metaforika (metaforiciteti) burojnë dhe shpërthejnë gati në secilin varg dhe fjalë. Tafa i zbërthen ëndrrat. I vesh dhe i zhvesh metaforat, i njeh dhe i përjetëson, i peshon dhe i mat kohën dhe hapësirën, botën dhe shekullin… Ai interesohet dhe e vëzhgon rrugën e dritës, gjithmonë duke e vrojtuar edhe anën e errët, duke e balancuar si një drejtpeshues dhe pothuajse të njëjtën kohë në mes jetës së qenit dhe të njeriut, duke i shijuar frytet, por edhe mallkimin e krijimtarisë dhe zejes së shkrimtarit. Ndaj, jo rastësisht, në një rast brenda librit të tij poeti thotë: “Zot na ruaj/ nga gjeli i keq që rren”.
Pak më tej poeti do të këndojë e nënvizojë edhe këtë varg të shkëlqyer: “Vdekja u bë/ lirikë e bukur”.
Me pasqyrime të ëmbla, të brishta dhe të buta, subtile dhe të moderuara të erotikës dhe ballafaqimin me prodhuesit dhe prodhimet e pikëllimit, ky libër është plot me përjetime, kujtime, pasqyrime, viviseksione dhe riminishenca.
Është e vërtetë dhe ka të drejtë Lulzim Tafa “Vdekja nuk mund të bëjë asgjë të pavdekshmive”. Në këtë udhë dhe në këtë përpjekje përulet dhe përfshihet edhe vetë ai me krijimtarinë e tij poetike, psikologjike, sociologjike dhe emocionale.
Nëpërmjet formave të ngjeshura poetike – të shkurtra, të qarta, shpirtërore, koncize, esenciale dhe lapidare, të cilat ngjajnë shumë dhe na i kujtojnë madje edhe poezinë haiku, me sa duket, kjo është forma ideale e shprehjes së këtij autori i cili është kundër frazitetit dhe anakronizmit, por edhe patriotizmit të rrejshëm dhe trimërisë epike, por angazhohet për bashkëkohësinë, thjeshtësinë dhe të vërtetën. Nëpërmjet parodisë, ironisë dhe sarkazmit ai skanon dhe gjithçka vetëskanon deri në shkallën e zhveshjes dhe lakuriqësimit, ndaj janë mahnitëse disa përplasje aktuale dhe shkëndija lakonike, siç është për shembull “Sa është i lehtë celulari/ sa i rëndë jam unë/ pa SMS-të e tua/ e dashur”. Poeti thotë: “e kërkoj vetveten nëpër rrugë” (e cili autor nuk e kërkon – do të pyesnim dhe do të konkludonim ne), edhe në tokë, edhe në qiell, rrugëve të vjetra të mbuluara me mall, rrugëve të reja të mbuluara me dyshim… Një autor vërtet i pjekur dhe i dëshmuar me poezi e cila është domethënëse dhe e vlefshme, e menduar mirë, bashkëkohore dhe e qëndrueshme.
(Autori është kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë si dhe drejtor i shtëpisë botuese Feniks dhe fondacionit Makedonija Prezent)