Vargjet mistike të një pelegrini në poezinë shqipe
Leonora Hajra
Poezia është një ndër krijimet letrare më të hershme të letërsisë përgjithësisht, andaj edhe duke u shquar si një lloj i kultivuar rrugës ka pësuar transformime duke huazuar nga periudha të ndryshme elemente autentike. Poezia e sotme shqipe e krijuar si prototip i të gjitha këtyre transformimeve shquhet si portret i pasur diversiv që i jep liri krijuesit të operojë me dijet e tij teorike e praktike për të shartuar kështu identitetin e tij specifik.
Poezia e Imer Topanicës sjell një frymë të pasur në poezinë shqipe veçmas si kultivim i dijeve vetjake orientale dhe atyre oksidentale, por edhe për larushinë e qasjes ndaj objektit dhe subjektit lirik që ndërton një fytyrë të pasur të njeriut si parcialetet i botës dhe Zotit, shkakut të parë. Topanica është autor i dy përmbledhjeve me poezi: “Shënime të pamjaftueshme” dhe “Tufë drite”, ku moderohen tema të ekzistencës, fatit të individit, panteizmit e sufizmit, lirisë individuale e politike. Të dy librat poetikë janë të ndarë në cikle të cilat mbëthejnë citime nga Kurani e Bibla sugjestive për përmbajtjen e kapitujve ku objektivizohet përmallimi e dëshira e krijesës për Krijuesin.
Poezia e poetit realizohet si dialogim i subjektit lirik me tjetrin, që në masë të gjerë është Zoti, gjë që midis tjerash provohet me përdorimin e shkronjës së madhe për shënimin e përemrave apo çdo referimi ndaj tij, është drita, ashku për të cilin subjekti lirik është i etur dhe merr udhën e një pelegrini, apo dhe vetë shoqëria e “i mallkuari politik” ndaj të cilëve subjekti përdor një ton të rreptë, shpalos revoltë e zhgënjim.
Modelimi i poezisë së autorit si komunikim intim me Zotin, ku shpaloset edhe motivi i fluturës që vetëdigjet është tipologji e poezisë mistike, sufiste. Në këto poezi poeti i këndon paqes si destinacion shpirtëror përmes një diskursi tipik metaforik që është karakteristikë veçmas për përmbledhjen “Shënime të pamjaftueshme”, në të cilën rruga e shpëtimit puthitet në kapërcimin e ambientit gotik dhe përqafimit të idilikes.
Një simbol i fuqishëm i poezisë së Lindjes që bëhet dominante e poezisë së Topanicës është drita, si element madje në të cilën pikëtakohen dy përmbledhjet e poetit. Drita sipas konceptimit sufist është sinjifikim i vetënjohjes së botës internale e pikërisht ky modelim ruhet në strukturën poetike të autorit duke iu nënshtruar një amplifikimi emocional e filozofik.
Përmbledhja e autorit “Tufë drite” në krahasim me vëllimin e dytë poetik është dukshëm më hermetike dhe arrin që ta ndërtojë një portret më të pasur universal përmes përdorimit të diskursit alegorik e simbolik. Një tipar specifik i poetit në përmbledhjen e dytë “Shënime të pamjaftueshme” është modestia dhe euforia me të cilën ndjek rrugën për te drita, ndërsa te “Tufë drite” hetohet një ton më melankolik që portreton shpirtin e trazuar, njeriun e lodhur nga sfidat e brendshme dhe ato me tjetrin e kundërt, konfuz në raportet njerëzore dhe qëllimin e jetës.
Opusi tematik i poetit shquhet për thellësinë meditative në trajtimin e problemeve emblematike filozofike e merafizike. Topanica arrin t’i subjektivizojë këto tema duke iu dhënë një frymë autentike vargjeve. Vetmia, ëndrra, kujtimi, vdekja, jeta bëhen strumbullar i fuqishëm përsiatës i tekstit poetik që gjeneron një vetje sa të revoltuar aq edhe të zhgënjyer, sa të frikësuar aq edhe të guximshëm, sa të lodhur aq edhe të etur për dritën.
Sa i përket formës e metagjuhës, poezia shquhet për një larushi vargjesh e rimash që moderojnë zhvillimin e tensionit emocional poetik. Vargu i lirë që varion me forma të shkurta e të gjata në një anë, dhe format e pasura orientale si: gazelet, rubairat e haiku, si dhe gegërishtja e pasur rezonojnë stilin eksperimental të autorit dhe bëhen vulë e fuqishme e identitetit të tij si poet bashkëkohor. Një poezi e tillë që e sfidon lexuesin duke kultivuar ndjeshmëritë e tij është padyshim vlerë e poezisë shqipe dhe aspekt i veçantë i saj që dëshmon potencialin e autorit shqiptar dhe poezisë shqipe njëkohësisht.
Kumtesë në përurimin e veprave të Imer Topanicës në kuadër të Festivalit “Valët e Llapit”