Vargonjtë ideologjik vs realitetit të Kosovës

08 shkurt 2022 | 15:40

Një dekonstruktim i asaj që përpiqet të fshihet nga ata që janë sot në pushtet

Shkruan: Hajdin Abazi

Nomenklatura e 14 shkurtit 2021, e cila për nga burimi dhe origjina, është një strukturë konglomerat, me përbërje nga më të ndryshmet, e megjithatë, nëse shihet në kontekst, ka një matricë të përbashkët konceptuale: 14 shkurtin e konceptojnë si çlirim me të cilin referojnë te zanafilla e një revolucioni si përmbysje sistemore, janë an bloc kundër qeverive të dy dekadave të pasçlirimit, ua hedhin fajin atyre për gjithçka që ndodhë nga keqqeverisja e aktuale, kanë arritur dakordësinë që për interesat e tyre klanore të ndryshojnë strukturat në institucione të sektorëve në krye të të cilëve janë si dhe ndaj instancave ndaj të cilave kanë ingerenca hierarkike, me një fjalë – për kapjen e shtetit; targetimin e kundërshtarëve ose atyre që nuk nënshtrohen e vihen në shërbim dhe hakmarrjen ndaj tyre, përditësimin thuaja në çdo kontekst të konotacionit armiqësore ndaj qeverive të mëhershme dhe atyre që kanë qenë në instanca të ndryshme gjatë asaj kohe, etiketimin e fenomeneve negative kur lidhen me qeveritë e kaluara e kur ato lidhen me këtë të tashmen anashkalohen ose heshtet, për asgjë nuk vlejnë të njëjtat parametra para dhe pas 14 shkurtit 2021, instrumentalizimi i institucioneve në shërbim të kastës së tashme pushtetare, intimidimin e zyrtarëveve civilë e shtetërorë si dhe të punësuarit në sektorët publik, krijimin e një klime ose disponimi kundëramerikane. Të gjitha këto, të skicuara përmbledhtaz, paraqesin tabanin ideologjik të “Trinisë+” në pushtet.

Duke qenë një konglomerat sa nga gjeneza edhe nga interesat, është mjaft problematike të shquhet karakteri i vërtetë i kësaj ideologjie, se cila është ajo në të vërtetë, kjo për faktin se thuaja asgjë që thuhet publikisht nuk referon te ajo që bëhet praktikisht, për çka, për ta qartësuar sado pak përmbajtjen reale, nevojitet një dekonstruktim i kësaj ideologjie përballë realitetin të vendit në këtë fillim dekadë të tretë të shekullit tonë (XXI).

Për liderin e kësaj nomenklature A. Kurtin është e lehtëdëshmueshme se ai është i brumosur me ideologji të majtë, me përmbajtje revolucionare, gjë që deduktohet qartë nga përcaktimi për angazhim për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, e, kjo përplotësohet me mënyrat radikale të protestave e të përleshjeve me organet e shtetit gjatë një periudhe 15 vjeçare. Fakti i të qenit i majtë dhe revolucionar, nga këndvështrimi im, nuk është diçka e keqe në vetvete, dhe është e drejtë e secilit të përqafojë ideologji, filozofi e politikë (natyrisht, të cilat nuk bien ndesh me Kushtetuta e Republikës së Kosovës) që e gjen veten dhe mund të realizohet në to e përmes tyre, me kusht që të udhëhiqet nga e mira më e lartë, sikurse e kishte thënë Aristoteli qysh në veprën e tij Politika, gjithsesi kjo “e mirë më e lartë” jo thjesht për veten e vet të “Trinisë+” dhe rrethit të ngushtë të tyre, por për qytetarët, për shoqërinë në tërësi, për shtetin.

Duke qenë se Kosova është një vend postkomunist dhe se blloku socialist tashmë është shpërbërë de facto dhe de jure me përmbysjet në Bashkimin Sovjetik (Rusi) dhe vendet e tjera të bllokut socialist që simbolizohet nga rënia e Murit të Berlinit, ani se ka ende disa shtete komuniste në botë si Kina, Koreja e Veriut, Kuba, Vietnami etj., në Europën e sotme është donkishotizëm (d.m.th. paraprakisht e destinuar të dështojë, sepse nuk është “e mira më e lartë” për qytetarët) mësymja për pushtet revolucionar përgjithësisht, e në Kosovë posaçërisht pasi që ende janë të freskëta shtypja dhe diktatura e regjimeve komuniste. Shtetet e kontinentit tonë janë rende demokratike, e këtillë është edhe Kosova: këtë e ka sanksionuar qartë Kushtetuta e 9 prillit 2008, e cila, ashtu si edhe vetë shteti ynë,  është rezultat i përpjekjeve shumëdekadëshe për liri të popullit tonë që kulmoi me luftën çlirimtare dhe bashkërendimit me SHBA-në dhe vendet e tjera Euro-Atlantike. Ky është mozaiku i kontekstit kontinental e global në të cilin është edhe Kosova, e që duhet të mbahet fort parasysh që Kosova të ecën rrjedhës së duhur.

Pengesa e parë dhe kryesore për të majtët revolucionarë është Kushtetuta dhe ligjet me frymë demokratike, të cilat, lënë shumë hapësirë për veprim, reforma e ndryshime porse në përforcim të demokracisë e të lirisë e jo të autoritarizmit, apo të një rendi jo-demokratik. Ajo që kuptohet qartë, nga këndvështrimi im, është se ata nuk e konsiderojnë frymën e perëndimore të demokracisë sonë si vlerë, po shpesh gjykimet e tyre i konsiderojnë si udhëzues se si duhet të jenë ligjet – dhe se institucionet duhet të funksionojnë sipas koncepteve të tyre. Ata e duan një demokraci në aparencë, mbase për vetë faktin se janë të pamundur që ta ndryshojnë atë, por praktikisht me mundësi imponimi të vullnetit të pushtetarëve si gjoja drejtësi, ligjshmëri, legjitime etj.

Një qasje e tillë nuk është në frymën e të majtëve socialdemokratë e as laburistë (në vendet Euro-Atlantike), pasi që këta janë reformuar (në vendet e perëndimit), duke u shndërruar në institucionalistë që respektojnë sistemin parlamentar, përfshirë ndarjen e pushteteve, ruajtjen e rendit demokratik, pa pretenduar për përmbysje të sistemit, por angazhohen për politika zhvillimore në kuadër të sistemit, kurse pushtetarët tanë të kësaj nomenklature angazhohen për “ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike”. Por duke qenë se sistemi kushtetutar i Kosovës e pamundëson në rrugë institucionale ndryshimin e hapur të përmbajtjeve demokratike të ligjeve, “Trinia+” përpiqen ta infiltrojnë përmbajtjen autoritare, duke vepruar në mënyrë të kamufluar,  përmes ndryshimit të finesave, si dhe duke ndërmarrë “reforma” jo me objektiv fuqizimin demokratik por të kontrabandimit të nuansave juridike që mundësojnë vendosjen e autoritarizmit, në kuptimin e instrumentalizimit të institucioneve shtetërore, publike dhe të pavarura duke i vënë në shërbim të kastës pushtetare.

Do të ishte korrekte, nga këndvështrimi im, sikur “Trinia+” e kësaj nomenklature të kishte proklamuar hapur se po qe se do ta marrin pushtetin, ata, përkundër Kushtetutës (të cilën më pas edhe do ta ndryshonin ose do ta flaknin atë e të miratonin ndonjë tjetër) do ta kontrollonin partiakisht Qeverinë, Kuvendin e Republikës, Gjyqësorin e Prokurorinë, Gjykatën Kushtetuese, ushtrinë e Kosovës, policinë, inteligjencën kosovare, të gjitha institucionet që Kushtetuta i sanksionon të pavarura; se ata do të vendosnin për largimet nga puna dhe për punësimet, si dhe se do t’i ndjekin e arrestojnë të gjithë ata që e kundërshtojnë ose nuk pajtohen me ideologjinë e “Trinisë+”, madje, për ta përplotësuar këtë matricë, edhe se do të vendoset autoritarizmi apo edhe rendi socialist, si dhe se do të ndiqet politikë e jashtme e largimit të kursit pro-amerikane dhe pro-Euro-Atlantike; dhe me këto qëllime hapur të deklaruara të kërkonte votën e qytetarëve të Republikës. Po të kishte ndodhur kjo dhe po të fitonin me këtë program në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, atëherë, po, do të ishte legjitime dhe do të mund të konsiderohej si një referendum, respektivisht si vullnet i popullit, për ndryshimin e sistemit. Por jo, “Trinia+” e 14 Shkurtit 2021 e dinin se nuk është fillimi i shekullit XX kur fryma revolucionare ishte atraktive dhe ishte shtruar në rend të ditës (ndonëse jo në përputhje me rrethanat historike sipas vetë koncepteve të Marxit dhe Engelsit) nga revolucioni bolshevik i vitit 1917; se është dekada e tretë e një shekulli më pas, pra e shekullit XXI, kur rendi socialist është shembur vetë, kryesisht nga shkaqe të brendshme, duke treguar paaftësi për të realizuar objektivat që i trumbetonte ideologjia komuniste, e që patën përfunduar nga diktatura të proletariatit në diktaturë ndaj proletariatit dhe popullit, derisa u shndërruan në dinosaurë politikë dhe kolapsuan nga mbipesha e dhunës.

Atëherë ku qëndron problemi real, i vërtetë i nomenklaturës së tashme?

Kryesorja është mosdeklarimi i tyre i hapur ideologjik. E pikërisht ky veprim merr tipare puçiste ose kontrabandiste, rrjedhimon se ata nuk janë “të majtë revolucionarë”, të cilët shquhen për deklarimin e hapur të qëllimeve të tyre kundër rendit në fuqi, të instaluar qysh nga Manifesti i K. Marxit dhe F. Engelsit. Kjo transparencë dhe konsistenca ndaj saj i kishte bërë simpatikë dhe të besueshëm të majtët revolucionarë, si dhe veprimi i hapur që t’i përmbushnin ato e jo t’i kamuflonin. Këtë guxim intelektual revolucionar nuk e kanë pushtetarët aktualë, të paktën jo në publik, kurse në qarqe të ngushta, në mënyrë interne, mund edhe të lënë të nënkuptohen “ndryshimet rrënjësore” sipas ideologjisë. Qasja e tyre e mëvishej me dukje revolucionare, sidomos si opozitarë, nga të gjitha kundërshtimet që i bënin ndaj politikanëve të partive të tjera kur ato ishin në pushtet.

Por aparenca në këtë rast është mashtruese. Ata, mbështetur në veprimet e tyre, mund të konstatohet se nuk janë revolucionarë. Tashmë e kanë marrë pushtetin, me 50.28%, porse jo me kauza ideologjike. Ata fituan besimin qytetar, ndër të tjera, me kauza demokratike: me premtimet se do ta çkapnin shtetin, se do ta luftonin nepotizmin, korrupsionin, klientelizmin, se do të vepronin gjithherë konform ligjeve dhe për shtet ligjor. Në të gjitha këto kanë dështuar gjatë një viti të të qenit në pushtet, si dhe kanë treguar prirje të kundërta: aplikim të hapur të nepotizmit në trajtën e përkatësisë partiake, tregti me postet diplomatike si këmbim për votën, klientelizmit ideologjik, dhe heshtje nga pushtetarët “anti-korrupsion” kur ngritën akuza për aferat korruptive ndaj bashkëpartiakëve të tyre.

Drejtësia vazhdon të shihet me dioptri ideologjike. Ajo bëhet drejtësi vetëm kur vepron sipas koncepteve të nomenklaturës, ndryshe ajo është “drejtësi e kapur”. Dhe kjo është qasje që i ngjason asaj komuniste – sipas së cilës drejtësia në vendet demokratike është drejtësi borgjeze domethënë e klasës kapitaliste, kurse drejtësia e vërtetë ishte ajo e proletariatit, që e kishin të gjitha rendet socialiste që u përmbysën me dhe pas rënies së Murit të Berlinit, e që ende e kanë të sanksionuar shtetet socialiste si Kina, Koreja e Veriut etj..

Te kapja e shtetit kjo bëhet krejt e qartë. “Trinia+” i ka dhënë jehonë dhe e ka indoktrinuar, përmes propagandës agresive, anëtarësinë e vet dhe opinionin publik me nocionin “kapja e shtetit”. Ç’është e vërteta, të gjithë drejtuesit e shtetit në Kosovë kanë ardhur përmes zgjedhjeve, ashtu sikurse edhe “Trinia+”. Dhe është në kompetencat e Kryeministrit e Presidentes të emërojnë drejtues të disa institucioneve relevante si Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e AKI-së etj., gjë që i kanë bërë, ani se në sistemet parlamentare këto nuk bëhen vetëm për shkak se vjen një nomenklaturë tjetër në pushtet por duhet të ketë arsye objektive (e jo të stisura), mbi të gjitha profesionale. Madje emërimi në disa institucione nga “duo” e vendit nxori në shesh se ata vendosën njerëz të tyre e jo të pavarur sikurse kishin trumbetuar. Kjo nuk është kapje e shtetit, pasi që bëhet nga “Trinia+”, e po ta bënte ndonjë nomenklaturë tjetër atëherë, po, ajo do të ishte kapje e shtetit! Për të majtët shteti nuk është i kapur kur kontrollohet nga ata, por vetëm kur ai është në duart e politikanëve të tjerë ose edhe i profesionistëve dhe që mbajnë anën e shtetit e jo të pushtetarëve.

“Trinia+” kishte premtuar transparencë gjatë fushatës zgjedhore, kurse në pushtet është shumë e mbyllur deri në përmasa konspiracioni qoftë me dialogun, qoftë me raportet me SHBA-në duke iu qasur heshturazi por në mënyrë refuzuese e jo-kooperuese, dhe e trajtimit sikur SHBA është një nga partnerët e çfaëdollojshëm të Kosovës e jo partneri kryesor dhe sponzorizuesi i shtetit të Kosovës. Këtu shfaqet një problem kardinal: nëse largohemi nga SHBA-ja, kah do të shkojmë? Me BE-në? Por vetë BE-ja është në partneritet strategjik me SHBA-në dhe thuaja nuk mund të jesh me njërën e kundër tjetrës. Atëherë? Me Rusinë – gjithsesi jo!? Me Kinën komuniste – mund të ishte një alternativë sikur Kina ta kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ajo që mbetet është të jemi açik të gjithëve, ndoshta vetizolacionizëm!? Thjesht  askush nuk e di se cili është kursi real gjeopolitik i “Trinisë+” në konstelacionet e tashme ndërkombëtare.

Një sfidë e madhe po tregohet realiteti social, ekonomik, kulturor, edukativ, dhe zhvillimi i vendit. Këtu po e shpërfaq, deri më tash, dështimin e hapur “Trinia+”: nuk po mundet ta konvertojë ideologjinë në politikë utilitariste për shoqërinë (ndonëse shoqërinë e sheh jo si tërësi por me dioptri klanore), që t’i sendërtojë objektivat sipas pikëpamjeve ideologjike, që të mundet t’i bëjë ndryshimet që realiteti i të gjitha sferave i kërkon. Sistemi demokratik nuk e mundëson ndryshimin rrënjësor të mekanizmave veprues, dhe kjo është një pengesë serioze e tjetërsimit strukturor të rendit ekonomik e shoqëror. Lideri nuk po mundet të bëhet një Lenin i dytë që të artikulojë një model diçka si Politika e Re Ekonomike, për kushtet specifike të Kosovës, me të cilën do të mund të sillte një përmirësim rrënjësor ekonomik e social, por ka ngelur duke anatemuar qeveritë e kaluara, thua se ka ardhur në pushtet si analist dhe jo si premtues i zëshëm për ta ndryshuar gjendjen për më mirë.

Lideri dhe ndjekësit e tij duke qenë të indoktrinuar deri në palcë nga ideologjia, por me defektin e të mos kuptuarit se situatat revolucionare nuk mund të prodhohen sipas dëshirave të askujt por vetëm kur konflikti lind nga brenda, nga një proces konfrontimi dhe moszgjidhjeje, nga mospajtimi deri në “antagonizëm i mjeteve të prodhimit me marrëdhëniet në prodhim” dhe i shtresave shoqërore që ndodhen në pozicione të kundërta, e kjo nuk është asgjëkundi në horizont në Kosovë jo se jo po duket se as në kontinentin Europian, po përpiqet artificialisht ta kontrabandojë shndërrimin strukturor. Sigurisht, nëse insistohet nga “Trinia+”, mund të shkohet deri në absurd, e që çmimi për Kosovën, sidomos për shqiptarët, mund të jetë katastrofal.

Kurti, të cilit, për shkak të pozitës së liderit që ka, në fund të fundit i adresohet gjithçka, do të duhej të kishtë kuptuar dhe të kishte nxjerrë mësime nga dështimi i Qeverisë Kurti 1, se Kosova, nëse dëshiron të mbetet shtet e të mos sakatoset dhe të mos metamorfozohet në rend shtypës, ka vetëm një perspektivë: forcimin e mekanizmave demokratik të shtetit, dhe partneritetin bashkërendues gjeopolitik dhe gjeostrategjik me SHBA-në dhe vendet tjera Euro-Atlantike. Me sa duket, nuk kanë mësuar asgjë realisht për peshën e politikës së jashtme të Kosovës dhe domosdosë të bashkërendimit me SHBA-në dhe vendet tjera Euro-Atlantike. Në të vërtetë, duket se përvoja e shkurtë në pushtet e “Qeverisë Kurti 1” ka shërbyer për të nxjerrë përfundime se si do të mund të përdornin mekanizmat demokratik të shtetit, për ta kapur shtetin si gjoja çkapje, që pastaj, përmes mekanizmave të dirigjuara nga “Trinia+”, të ndiqen politika që implementojnë ideologjinë në të gjitha sferat e shtetit, madje, sikurse u shpreh Kurti së fundmi, edhe sindikatat duhej të çkapeshin (sic!), sigurisht që ato të shndërroheshin në instrumente të pushtetarëve.

Pushteti në Kosovë, për shkak të moszhvillimit ekonomik dhe kapaciteteve të pakta në të gjitha sferat, nuk është kapabël të dalë me politika të mëdha sa t’i japë mend SHBA-së dhe BE-së se si duhet përcaktuar perspektivat zhvillimore e as të mund të ndryshojë ndonjë gjë në gjeopolitikë a gjeostrategji; e krejt çka realisht është e mundur të bëhet – është kalibrimi i interesave të Kosovës duke bashkërenduar me SHBA-në dhe vendet Euro-Atlantike ashtu që shteti ynë natyrshëm të brumoset me vlerat demokratike dhe mekanizmat demokratik e të mos lihet anash. Tendencat deri më tash (“Qeveria Kurti 1” dhe “Qeveria Kurti 2” gjatë një viti) janë manifestuar si shpurthje kundër SHBA-së.

Dështimet në mënyrë frontale të kësaj nomenklaturës pushtetare e përmbysën “14 shkurtin 2021” me rezultatin në zgjedhjet komunale të 17 tetorit 2021, ku pushtetarët u ndëshkuam me anë të votës pasi që qytetarët e kuptuan mashtrimin e “Trinisë+”. Ky do të duhej të ishte një alarm për A. Kurtin, si lider, që ta bënte të kuptojë se o duhet të heq dorë nga majtizmi dhe të konvertohet në parti sistemore, domethënë në parti të moderuar socialiste ose social-demokratike me frymë Euro-Atlantike, o ta lëshojë pushtetin, të bëjë opozitë dhe të pres derisa të vijë koha revolucionare për të përmbysur rendin demokratik në Kosovë gjë që duket të paktën edhe një shekull larg, nëse do të vijë fare!

Nga e tërë kjo rrjedhë se ideologjia e pushtetarëve ka konvertuar substancën por duke ruajtur aparencën. Ajo është e majtë dhe kripto-revolucionare për nga qasja, metodologjia dhe veprimi, por përmbajtësisht ajo është e populiste, në kuptimin se ka një konglomerat parimesh që shprehin një përmbajtje të njohur por promovojnë, në të vërtetë, veprime e praktika të kundërta, pa ndonjë objektiv të qartë ekonomik, social, arsimor, kulturor, e as në politikë të jashtme. I vetmi objektiv i populizmit të  “Trinisë+” është mbetja në pushtet, dhe kapja e shtetit që të mbeten sa më gjatë në pushtet, për t’iu hakmarrë duke larguar nga institucionet ata që i kanë kundërshtuar ndonjëherë ose që nuk tregohen të shfrytëzueshëm në të mirë të “Trinisë+”, dhe – për të përfituar benefite, autoritet, privilegje, mundësi për kastën e vet dhe të lojalëve të tyre. Se emëruesi i përbashkët i “Trinisë+” është populist, mund të shihet edhe nga fakti se krejt çka kanë premtuar po bëjnë të kundërtën dhe janë aq kontradiktor se i arsyetojnë si të drejta që të dyja veprimet, kurse të majtët (social-demokratë të tipit Euro-Atlantik) por edhe revolucionarë e vërtetë zakonisht bëjnë, aq sa ju lejojnë rrethanat, atë që e premtojnë; e vetmja gjë që i ka mbetur “Trinisë+” si konstante është armiqësia ndaj qeverive të pasçlirimit deri më 14 shkurt 2021, armiqësi kjo e hiperbolizuar dhe në funksion të krijimit të iluzionit se e keqja ishin “ata”, kurse e mira jemi “ne”, me qëllim që të joshin përsëri elektoratin për t’i votuar në zgjedhjet e ardhshme që të mos vijnë në pushtet “ata”.

Përfundimi është se kësisoj duket se do të aventurohet shteti i Kosovës, çlirimi, demokracia dhe liria, dhe veprohet për të metamorfozuar sistemin, demonstrohet pa fshehje një ngulfatje e fjalës së lirë, mbillet dhe ushqehet një intimidim masiv qytetar, armiqësia ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe sidomos atyre që ngrisin zërin kundër. Fuqia e pushtetit mund të të bëjë të besosh se do të jesh përgjithmonë në fron, por e vërteta është se kjo është vetëm iluzion.

Vargonjtë ideologjik populist po i shtrëngohen liderit. Ai nuk mund të mbahet më i majtë revolucionar, duke ndjekur politika që rrisin benefitet e pushtetarëve në kurriz të qytetarëve, duke u shndërruar në tjetërsim për mashtrim publik. Se kjo nuk do të kapërdihet, “Trinia+” tashmë e ka marrë mesazhin më 17 tetor 2021. E vetmja alternativë i mbetet që të heqin dorë nga fryma populiste (që më duket e pamundur), t’i kalibrojnë konceptet ideologjike me realitetin demokratik të Kosovës, drejt të majtës social-demokrate ose socialiste parlamentare të tipit të vendeve Euro-Atlantike, sepse një e majtë e tillë ka hapësirë për të kontribuar në shumë sfera (pa kapjen e shtetit, por duke respektuar realisht dhe jo vetëm nominalisht pavarësinë konstitucionaliste të institucioneve publike dhe të shtetit), të mos cenojë lirinë e fjalës, dhe të bëjë kthesa konform realitetit të Kosovës, për ta forcuar demokracinë tonë të brishtë duke e ngritur kualitativisht në nivel të asaj Euro-Atlantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Andixhiku, ka kundërshtuar…