Varhelyi: Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së
Komisioni Evropian ka publikuar pakon e zgjerimit për vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE. Prezantimi i paketës së zgjerimit 2022, e ka bërë komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në fillim të fjalës së tij, Varhelyi ka deklaruar në pika të shkurtra, zhvillimet e fundit të BE-së në raport me vendet kandidate, përgjatë vitit të fundit.
Ai ka rikujtuar se pas fillimit të luftës mes Rusisë ndaj Ukrainës, kjo e fundit së bashku me Gjeorgjinë e Moldavinë, kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Varhelyi ka rikujtuar se Ukrainës dhe Moldavisë u është dhënë ky status, ashtu si edhe Gjeorgjisë që do t’i jepet së shpejti.
Ai gjithashtu ka theksuar se kanë filluar edhe bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së dhe gjashtë vendet e këtij rajoni, duhet të bëhen pjesë e BE-së, sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Varhelyi.
Varhelyi ka deklaruar se Paketa e Zgjerimit të BE-së përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor plus Turqinë.
“E nga viti i ardhëm, do të përfshijë edhe Ukrainën, Gjeorgjinë e Moldavinë. Raportet tona ofrojnë udhërrëfyes të qartë dhe janë realë dhe tregojnë se si të ecet përpara”, ka thënë ai.
Varhelyi ka thënë se kriza energjetike është sfidë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Pasi ka paraqitur në pika të shkurtra investimet e BE-së në forma të ndryshme në rajon, përmes grandeve në infrastrukturë dhe ekonomi, Varhelyi ka paraqitur situatën për secilin vend.