Varhelyi: Ballkani Perëndimor, prioritet i Komisionit Evropian
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, ka thënë se për Komisionin e ri Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor janë një prej prioriteteve.
“Ne tashmë kemi arritur shumë krahasuar me tetorin e kaluar. Kemi pasur një qasje tjetër metodologjie dhe kemi hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Elementi i tretë është investimi domethënës me pakot ekonomike për tërë rajonin, e të cilat shpresojmë t’i prezantojmë në fillim të vjeshtës. Poashtu varet nga marrëveshja e 27 vendeve të BE-së një buxhet shtatëvjeçar”, ka thënë Varhelyi, raporton “Tanjug”.
Ai ka thënë se BE-ja ka siguruar për Ballkanin Perëndimor një asistencë financiare prej 80 milionë euro menjëherë pas shpërthimit të pandemisë Covid-19.
“Te kjo, ne jemi duke ndarë edhe 455 milionë euro për ‘pjesën e dytë të krizës’ me të cilën do të eliminohen pasojat ekonomike. Fokusi është në mbështetjen ekonomike, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sigurimi i likuiditetit të sistemit bankar sikurse edhe asistenca makro-financiare për pesë vendet e këtij rajoni”, ka thënë Varhelyi.