Varhelyi: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë deri në fund të vitit 2020
Komisioneri për fqinjësi dhe zgjerim i BE, Oliver Varhelyi, në paraqitjen e tij të parë që prej se mori mandatin për këtë post, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se do të punojë me Shefin e ri të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për të përmbyllur dialogun.
Përfaqësuesi i Lartë i BE- për Politikë të Jashtme, Borrel ka thënë tashmë se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës do të jetë prioritet i tij. “Unë do të ofroj gjithë ndihmën time në atë drejtim dhe shpresojmë të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm”, ka thënë Varhelyi, duke folur në Parlamentin Evropian në tryezën e rrumbullakët kushtuar eurointegrimeve të Ballkanit Perëndimor.
Varhelyi ka thënë se: “është e rëndësishme që Qeveria e re në Kosovë të formohet sa më shpejt, pasi e presin punë të rëndësishme” .
“Presim nga Qeveria e re e Kosovës të punojë në vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili po mbahet nën udhëheqjen e BE-së, duke përfshirë heqjen e tarifave 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe BeH”, ka deklaruar Varhelyi.
Siç raporton REL, Varhelyi ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për BE-në dhe për të personalisht. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektiv të vërtetë në BE, por për ta bërë këtë realitet duhet të ketë fokus në reforma të vërteta në rajon. Investimet ekonomike, liritë për njerëzit, rritja e standardit jetësor duhet të jenë prioritete. Komisioni në fillim të vitit të ardhshëm do të paraqesë raportin për forcimin e procesit të zgjerimit”, është shprehur Varhelyi.
Varhelyi ka thënë se është i nevojshëm një angazhim i fortë politikë për reforma, jo për hire të BE-së, por të qytetarëve të shteteve të rajonit. Ai ka kërkuar që procesi i reformave të jetë gjithëpërfshirës dhe sipas tij, në këtë pikë, roli i parlamenteve nacionale, duhet të ketë kryesor. “Dua që procesi të jetë më dinamik, jo vetëm të jetë fokusi në hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Duhet të mundësohet që sa më herët vendet e Ballkanit të përfshihen në disa politika edhe para se të anëtarësohen në BE. Njerëzit të mos kenë nevojë që të presin anëtarësimin për të ndjerë benificionet”, ka shtuar Varhelyi.