Varhelyi: Kosovës i duhet një qeveri stabile
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” se Kosovës i duhet domosdoshmërisht një qeveri stabile dhe e fuqishme.
I pyetur nëse mendon që nëse duhet mbajtur zgjedhjet e reja apo nëse ekziston diçka që do ta thyente bllokadën në Prishtinë, ai ka thënë se shpreson që “të gjitha partitë politike, bashkë me presidentin, do të mund të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme”.
“Nuk më takon mua të ofroj mundësi. Mendoj se ata janë të angazhuar plotësisht tani. Ata kanë kërkuar edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, jam i sigurt se udhëheqësia politike në Kosovë do të jetë e gatshme për të gjetur zgjidhje të prekshme”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka thënë se “koha që po humbet është shumë e vlefshme”.
“Nëse vërtet dëshirojmë të luftojmë krizën, nëse vërtet dëshirojmë ta vendosim Kosovën në rrugën evropiane, neve na duhet të bëjmë gjithçka për të gjetur zgjidhje të shpejtë për një qeveri stabile”, ka thënë Varhelyi.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.
Më 30 prill, presidenti Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.
Po të njëjtën ditë, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë vendim kundërkushtetues.
Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë inicimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.
I pyetur nëse ndonjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka keqpërdorur situatën e krijuar pas pandemisë me koronavirus, për përfitime politike, Varhelyi ka thënë: “Kjo është diçka për të cilën kam dëgjuar. E kam dëgjuar edhe në lajme tjera. Ne kemi duke e ndjekur prej afër se çfarë po ndodh, por po shohim se të gjitha parimet për të cilat jemi këtu për t’i mbrojtur janë duke u zbatuar”.
Mes tjerash, ai thënë se nuk është në veçanti i shqetësuar për ndonjë shtet të këtij rajoni.
“Një ditë më parë kuptova që Serbia ka vendosur t’i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme dhe masat emergjente janë hequr nga sot. Mendoj se jemi duke dalë nga kriza”, ka thënë ai.