Varhelyi paralajmëron udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave
Një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian.
Temë e diskutimit ishte zgjerimi i bllokut pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Përveç deputetëve nga Parlamenti Evropian, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate dhe të kandidatëve potencialë.
Derisa u fol për Ballkanin Perëndimor, Varhelyi tha se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.
Ai tha se janë disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil, ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta”.
“Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.
“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai, transmeton Rel.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.
Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.