Varhelyi shkruan për takimin me Kurtin, vë theksin te Asociacioni
Komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar.
Për këtë takim ka shkruar Varhelyi në një postim në “Twitter”, duke theksuar temat për të cilat kanë biseduar.
“Diskutim i hapur me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe anëtarët e kabinetit (qeveritar) mbi progresin e rrugës evropiane të Kosovës. BE-ja po ofron mbështetje të madhe për zhvillimin ekonomik të lidhur me zbatimin e mëtejshëm të reformave dhe zbatimin e marrëveshjes së dialogut, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka shkruar Varhelyi.
Ndërsa në konferencën e përbashkët që kishte më herët me presidenten Osmani, Varhelyi ka thënë a se presin që marrëveshja Kosovë-Serbi të zbatohet pa kushte.