Varhelyi uron Kurtin: Dialogu me Beogradin, çështje kyçe për Kosovën
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke rikujtuar se dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe.
“Pres që të punoj së bashku me ju për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane dhe vazhdimin e luftës kundër Covid-19”, ka shkruar Varhelyi në llogarinë e vet në “Twitter”.
#Kosovo: Congratulations to the new Parliament and to Prime Minister @albinkurti & his government. I look forward to working with you on taking forward the reforms on #EU path & continuing fight against #COVID19. Dialogue with Belgrade on normalisation of relations remains key.
— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) March 22, 2021
BE-ja pret që qeveria e re e Kosovës të vazhdojë procesin e reformave, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Po ashtu pret që të vazhdohet edhe përpjekja për të ngadalësuar përhapjen e virusit Covid-19. Në këtë drejtim në BE disa herë kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë Kosovën, por kjo ndihmë, deri tash, nuk ka përfshirë edhe dhënien e një sasie të dozave të vaksinave, siç kishte premtuar BE-ja.
Në selinë e BE-së në Bruksel kanë thënë se “BE-ja vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë” dhe kanë përmendur ndihmën materiale dhe financiare që kanë dhënë deri më tash për përballje me pandeminë.
Sa i takon dialogut me Serbinë, në BE presin që ai të vazhdojë sa më parë, tash pasi është formuar Qeveria e re në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.