Varhelyi: Veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje, palët t’i kthehen dialogut
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, duke ju referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa të përkohshme për qytetarët e Serbisë që futen në Kosovë, ka thënë se veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje.
Varhelyi ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut dhe të mundësohet liria e lëvizjes.
“Është urgjente që të ushtrohet vetëpërmbajtje dhe të ulen tensionet, të ketë kthim në dialog dhe të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë. Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato vetëm çojnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Twitter”.
Që nga e hëna është duke u zbatuar vendimi për reciprocitet me targat e përkohshme me Serbinë.
Ky vendim i qeverisë është pritur me protesta nga serbët lokalë në veri të Kosovës të cilët edhe sot po e mbajnë të bllokuar rrugën që shpie në dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
#Serbia #Kosovo It’s imperative to exercise restraint and deescalate the tensions, return to dialogue and ensure freedom of movement without delay. Unilateral actions are never a solution. They only lead to unnecessary tensions and should be withdrawn.
— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) September 22, 2021