Varianti “Delta” përhapet me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara
Presidenti Joe Biden po u kërkon punonjësve të qeverisë federale të dëshmojnë statusin e tyre të vaksinimit. Të pavaksinuarit do të duhet të mbajnë maska gjatë gjithë kohës, të testohen çdo javë për COVID-19, të mbajnë distancë fizike dhe në përgjithësi të mos udhëtojnë për punë.
Kontraktorët federalë mund të përballen me kufizime të ngjashme. Presidenti tha gjithashtu se edhe ushtria amerikane së shpejti mund të kërkojë vaksinime.
“Përdorimi i maskës mbron nga përphapja e virusit. Por vaksinat janë mbrojtja më e mirë kundër rasteve të rënda nga koronavirusi”, tha Presidenti Biden.
Në fillim të javës autoritetet shëndetësore amerikane u kërkuan të vaksinuarve plotësisht që të fillojnë të përdorin maskat përsëri në ambjentet e brendshme në zonat ku virusi po përhapet me shpejtësi. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se varianti Delta mund të përhapet edhe nga të vaksinuarit.
“Është e rëndësishme që njerëzit e vaksinuar të kuptojnë se nëse ndonjë prej tyre infektohet në zonat ku po përhapet virusi ata mund ta transmetojnë virusin tek njerëzit e tjerë”, tha drejtorja e CDC-së Rochelle Walensky.
Udhëzimet e reja vijnë dy muaj pasi agjencia u tha amerikanëve të vaksinuar se ata mund të hiqnin maskat. Këtë javë CDC-ja po ashtu rekomandoi që të gjithë nxënësit, mësuesit dhe punonjësit nëpër shkolla dhe kopështe deri në klasën e 12 të përdorin masaka, edhe nëse janë të vaksinuar.
Bob McCann me sistemin arsimor në Miçigan ngre pikëpyetje rreth udhëzimeve të përgjithshëme në arsim.
“Një qasje e përshtatshme për të gjithë ndoshta nuk do të funksionojë, ndaj do të duhet të sigurohemi që çdo komuniteti t’i jepet mundësia të bëjë atë që është më e mira për fëmijët e tyre.”
Ligjvënësi republikan Kevin McCarthy i Kalifornisë po ashtu nuk pajtohet plotësisht me udhëzimet.
“Ky është vetëm fillimi. Sepse së shpejti fillon shkolla, por ata do ta mbyllin përsëri shkollën. Kjo ka të bëjë me kontrollin.”
Ndërkohë, shumë biznese janë duke urdhëruar që punonjësit të vaksinohen. Këtë javë firmat Facebook, Google dhe Netflix thanë se do t’u kërkojnë punonjësve që të vaksinohen. Vendime të ngjashme janë marrë nga qeveri lokale, përfshirë shtetin e Nju Jorkut, dhe mbi 600 universitete në Shtetet e Bashkuara. Dr. Robert Wacher është me Universitetin e Kalifornisë në San Françisko.
“Udhëzimi është mjaft i mirë. Fatkeqësisht pandemia ka arritur në atë pikë ku thjeshtë kërkohet vaksinimi i sa më shumë njerëzve, ndryshe nga gatishmëria e njerëzve në kushtet aktuale.”
Afërsisht 56% e amerikanëve mbi 12 vjeç janë vaksinuar plotësisht./VOA/