Varianti i ri i Covidit mbërrin në Itali, Gjermani e Britani

28 nëntor 2021 | 14:24

Varianti i frikshëm i sapozbuluar i Covid-19, Omicron, zgjeron hartën e përhapjes. Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe janë vendet e radhës në Evropë, që kanë konfirmuar rastet e para të të infektuarve me mutacionet e Omicronit.

Një person i ardhur ditët e fundit nga Mozambiku u konfirmua si bartës i variantit të ri në Milano. Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e ashpërsimit të masave dhe aplikimin më herët të rregullave të reja kundër përhapjes së koronavirusit, se 6 Dhjetori kur ishte parashikuar të hynin në fuqi kufizimet e periudhës së festave për shkak të shtimit të infektimeve me variantin Delta.

Nuk përjashtohet mundësia e përshpejtimit të injektimit të dozës së tretë për gjithë popullsinë dhe injektimin e vaksinës edhe për fëmijët 5 deri 11 vjeç, pas miratimit edhe nga agjencia europiane e barnave.

Në Britaninë e Madhe, autoritetet vendosën që prej të Martës të rikthejnë detyrimin e mbajtjes së maskave dhe po ashtu përshpejtimin e injektimit të dozave të treta.

Vendet europiane, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, etj., kanë ashpërsuar rregullat për hyrjen e të huajve. Ekspertët ende nuk dinë të thonë nëse Omicron është më tepër ngjitës dhe nëse shkakton më tepër dëme në shëndet.

Por sipas kësaj harte të krijuar për të parën herë nga shkencëtarët italianë, mutacionet e Omicronit janë të përqendruara në zonën ku proteina Spajk lidhet me qelizat njerëzore, çka shton dyshimet se varianti i ri mund të ngjitet shumë herë më shpejt se Delta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspedita e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave në…