Varianti Omicron në Kosovë, simptomat janë të ngjashme me gripin sezonal
Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, në një konferencë për media ka folur për variantin e Covidit Omicron, i cili variant tashmë është konfirmuar edhe në Kosovë.
Vishaj ka thënë se një nga qytetarët e infektuar me variantin Omicron, ka kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë dhe se gjendja e tij e përgjithshme ka qenë stabile.
Drejtori i Klinikës ka thënë se pacienti ishte i vaksinuar me dy dozat e vaksinës Pfizer.
“Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me variantin Omicron, por jemi duke i trajtuar katër pacientë të cilët janë me Covid-19 pozitiv….”, ka deklaruar Vishaj.
Infektologu Vishaj ka theksuar se simptomat e gripit sezonal dhe të Covid-19 janë shumë të njëjta, prandaj ka rekomanduar që të gjithë që nuk ndihen mirë të paraqiten te mjeku familjar.
Drejtori i Infektives duke folur për procesin e vaksinimit, ka thënë se i gjithë stafi i klinikës i janë përgjigjur thirrjes për të marrë dozën përforcuese.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, si mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë.