VARRAGA APO VRRAGA E KOSOVËS
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Tymnaja e një dite me diell: Pas aktit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në Varragë të Zubin Potokut në skenë dolën “ekspertë të sigurisë” që asnjëherë nuk kanë punuar në fushën e sigurisë dhe, në dështimin e parashikimeve ia kalojnë edhe fallxhorëve të ditës së parë kur qesin fall. Nuk mbeti kush pa komentuar këtë akt terrorist, prej KM Kurti e deri te berberët dhe taksistët ku edhe bëhet politika më e lartë. Reagimi i politikanëve kosovarë, sidomos i pushtetit ishte reagim për vota e formës së prerë, ende pa filluar hetimet.
Punë të mbarë bënë shërbimet e emergjencës, ndërmarrja e Ibër Lepencit, Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykatat. Mediat ishin gjithashtu ana e bardhë e një mozaiku bardh e zi ndonëse KM Kurti i portretizoi si më të këqij se vet ata që e kryen këtë sulm terrorist. Në vend që ta thërras një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të merrej një qëndrim i përbashkët shtetëror dhe institucional për këtë ngjarje, ai u mjaftua me një deklaratë në stilin e Papës së Vatikanit, urbi et orbi nga bazilika e Shën Pjetrit, se ky akt terrorist u organizua nga Serbia dhe Rusia sikur që ky veprim është copy paste i sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike vitale të Ukrainës duke menduar se sytë dhe veshtë e botës shohin dhe dëgjojnë vetëm Albin Kurtin. Çfarë patologjie e ndjenjës së madhështisë që është shenjë identifikuese dhe vulë e mendimit, veprimit dhe përfundimit politik, filozofik, sociologjik dhe antropologjik të Albin Kurtit, kryeministrit në ikje, mendoj dhe i sigurt pa mundësi riciklimi apo riinkarnimi për postin që e ka, nëse në ndërkohë nuk ndodhin ngjarje që nuk i kanë paraparë as Nostradamusi dhe Baba Vanga e lëre më vogëlsia ime. Papë Françesku është Baba i besimtarëve katolikë, Albin Kurti është Baba i besimtarëve që e kanë kaluar lavazhin e trurit të lavatriçes së Babushkes së VV-së, Dejona Mihali. KM në ikje, Albin Kurti, në vend se të del me një deklaratë me të cilën dyshimet e bazuara i adreson kah Serbia, që do të ishte realiste dhe e pranueshme nga vendimmarrësit kryesorë ndërkombëtarë që kanë fuçi që edhe pecin ta lënë pa k.çe, ai doli me një deklaratë që përmbledhë aktivitetin e policisë, prokurorisë, gjykatës dhe AKI-së që nuk është në përgjegjësi të KM, si menaxheri kryesor politik i qeverisë. Ai tha se Serbia e ka bërë këtë dhe pikë. Shtetet e BE-së, SHBA-ve, Amerikës së Jugut, Afrikës, madje edhe Kina si dhe Orbani e cilësuan këtë si akt terrorist por në asnjë rast nuk e cilësuan Serbinë si kryerës së veprës por, në të njëjtën kohë kërkuan hetime të pavarura dhe të paanshme duke ofruar edhe ndihmë për këto hetime. Të gjithë kërkuan që përgjegjësit për këtë sulm terrorist të sillen para organeve të drejtësisë të cilat do të marrin vendim në bazë të provave e jo në bazë të deklaratave politike. PE kërkoi hetim ndërkombëtar për rastin dhe kjo tregon qartë se nuk iu besojnë hetimeve të institucioneve të Kosovës. A po e djegim rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit sikur që e dogjëm rastin e Banjskës ndonëse i kishim të gjitha provat në anën tonë?! Injoranca profesionale e Kaçketës, bashkë me sekserët e tij që ndërhyjnë në punët e policisë, e dogji Banjskën. Injoranca dhe megalomania politike për përfitime elektorale, lehtësisht mund ta djegin Ibër Lepencin. Politikanët e Kosovës me impotencë të theksuar politike dhe profesionale po kërkojnë që bashkësia ndërkombëtare të mendojë dhe veprojë si ata dhe kanë mbetur të habitur pse ende nuk po ndërmerren masa kundër Serbisë duke harruar se sanksionet ende janë kundër Kosovës. A janë more këta në tokë të bukës?! Albin Kurti po përpiqet të lë përshtypjen para opinionit se, si sovranist i vetëm në Kosovë po luan në kartën tutti per tutti, të gjitha për të gjitha në mbrojtje të sovranitetit në veri, të cilin realisht, as nuk e ushtron sot, nesër edhe më pak, pasnesër hiç fare. Albini e ka të qartë se lëshimet më të mëdha dhe më të dhimbshme do të duhet t’i bëjë në veri të Kosovës andaj në tavolinë i vendosë koç..t sovraniste të……..Faton Pecit. Vuçiqi na e luajti lojën për Banjskën duke e dërguar në ndalim policor zemlakun e Mimoza Kusarit, Radojiçiqin që nënkupton se me fillimin e procedurës kundër tij, jo që nuk do e ekstradojë Zemlakun e Mimozës në Kosovë por që as vendet tjera, nëse e kapin në territorin e tyre, adresa e parë dhe e vetme e ekstradimit do të jetë Serbia. Me ngritjen eventuale të aktakuzës kundër zemlakut të Mimozës nga ana e Serbisë do të fillojë një proces gjyqësor që do të zgjasë me vite, deri në parashkrimin e rastit apo një lufte tjetër. Një gjë nuk po e kuptoj, a është Serbia një shtet aq naiv që përkundër faktit se gjatë çdo bastisjeje Policia e Kosovës po konfiskon armë të shumta, përsëri po futë brenda armë të tjera! Pak e besueshme ose unë jam më i huçur në parashikime se vet Spartak Ngjela apo Nexh Unmikokosovari.
Darka e Lamës, garë midis mashtrueses ekzemplare dhe llaskucit antologjik: Vojsa Osmani, ish presidentja e Albin Kurtit, tash në rënie të lirë, kohë më parë organizoi Darkën e Lamës ku të pangopurit për pushtet dhe para mbushnin cullët e tyre me djersën dhe mundin e atyre që memzi mbijetojnë, bujkrobët e Kosovës. Para një jave, një ish jargë e Vojsa Osmanit, Faton Peci organizoi edhe një Darkë të Lamës thuaja me të njëjtën përbërje, plus minus disa besnikëve të Vojsa Osmanit që, ose nuk erdhën, ose nuk ishin ftuar. Në arenën e gladiatorëve të quajtur Darka e Lamës po bëhet lufta për vdekje apo jetë politike por edhe fizike.
Në sofrat e shtruara nga Faton Peci, ushqimi ishte shumë më i kushtueshëm: servohej mish lope me çmim 100.000 euro, flija, pite, bukë dhe gatime të Rozeta Hajdarit dhe Ridit me vlerë disa miliona euro. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur mielli, vaji dhe kripa janë të rezervave shtetërore. Pastaj, edhe vaji është nga rezervat shtetërore sikur që çaji i rusit dhe ëmbëlsirat janë me sheqer të rezervave shtetërore. Vetëm uji ka qenë me çmim të arsyeshëm dhe për këtë u përkujdes shteti pasi ua fali borxhet prodhuesve të ujit. Bukë, krip, zemër dhe …..ujë besoj se do të jetë slogani i VV-së në zgjedhjet e ardhshme. Kjo do të jetë një ofertë e VV-së për zgjedhjet e ardhshme e që nuk do të mund të refuzohet. Si ajo e Don Vito Korleones në filmin Kumbara.
Sakrificën më të madhe pas sulmit terrorist e ka bërë Vojsa Osmani duke e shtyrë vizitën një shteti që ka rëndësi jetike për Kosovën, Sulltanatit të Bruneit dhe takimin me Sulltanin Hasan Bolkiah. Sepse nga kjo vizitë do të dilte diçka, naj copë ari, së paku. Pastaj, Llaskuci i Parë do të kishte rastin të takohet me princ Jaffray, vëlla i Sulltanit. Do t’i këmbenin përvojat nga fusha e mashtrimeve ku janë virtuoz të vërtetë. Princ Jaffray e pasuron gazi i Bruneit, Llaskucin e Parë fasulja e FSK-së.
Rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme: Një mik imi i mirë, ish ushtar i UÇK-së, tash i Albin Kurtit dhe Dejona Babushkes, Kujtim Anarkisti, pas ngjarjes në kanalin e Ibër Lepencit më tha se do të bjerë drastikisht parashikimi im se VV-ja, maksimumin do ta ketë 33 për qind në zgjedhjet e ardhshme. Mendësi euforike dhe folklorike nëse mendohet se Ibri dhe Lepenci do ta lajnë Binin për të gjitha dështimet që i ka bërë gjatë mandatit të plotë 4-vjeçar. Kjo qeveri ngjyrën e bardhë e ka larguar nga përdorimi, shërbehet vetëm me të zezën, për ta njollosur opozitën, mediat dhe mendermethënë shoqërinë civile sikur për ta treguat edhe fytyrën e saj qeverisëse. Rasti i Ibër Lepencit, lehtësisht mund që në vend t’ia mbushë xhirollogarinë me vota, mund t’i kthehet si boomerang. VV-ja duhet të jetë e shashtisur nëse i afrohet 30 përqindëshit. LDK-ja dhe PDK-ja rriten, AAK-ja rritet pak, Lista për Familjen e kalon pragun. Do të ketë shpërndarje të madhe të votave dhe koalicionet janë të pashmangshme. Nëse Mimoza Kusari do të ketë shëndet të mirë, do ta forcojë koalicionin ekzistues VV – Lista Serbe. I uroj shëndet të plotë. Kjo është për aq sa shihet, për atë që nuk duket, nuk garantoj.
Por, në asnjë mënyrë nuk do të dëshiroj që Kuvendi i ardhshëm të jetë pa kolosët e mendimit politik, filozofik, sociologjik dhe antalogjik të eruditëve të shquar, Halil Thaçi, Dimalin, Mefin, Ardianën dhe ushtarët e shquar në luftë për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, komandantët e UÇK-së, Cen Durmishi, Kaçketa dhe Besnik Gjykekari. Më rrofshin, që të gjithë!