Varri i Mehmetriza Murtezanit në gjendje të mjeruar

15 qershor 2021 | 19:31

Lulëzim ETEMAJ

Mehmetriza Murtezani-Gega lindi në Tetovë më 23 nëntor 1921. Vite me radhë punoi mësues në shkollën e Nerashtit dhe Grupçinit. Me angazhimin e tij dhe të kolegëve kishte shtuar numrin e nxënësve në Nerashtë prej 60 në 240 sish, përfshirë këtu edhe numrin e vajzave. Ky angazhim binte ndesh me pushtetin, i cili paralelisht angazhohej për hapjen e shkollave turke në vitet 1950-1952. Si rezultat i këtij kundërshtimi shumë shpejt e largojnë nga puna.
Për herë të parë arrestohet në mars të vitit 1948 nga organet maqedonase. Lirohet pas një muaji qëndrimi në burg.
Si rezultat i angazhimit të tij atdhetar jo vetëm në Tetovë, Gostivar, Strugë, Shkup, por edhe në Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjilan, Mehmet Gega arrestohet nga UDB-a maqedonase më 21 maj të vitit 1955 në qytetin e Shkupit. U dënua me dhjetë vjet burgim të rëndë dhe u lirua pas shtatë vjetësh, në mars të vitit 1962.

No description available.
Vetëm gjashtë vjet më vonë ai arrestohet sërish më 24 dhjetor 1968, një ditë pas demonstratave në Tetovë, të cilat i kishte organizuar dhe drejtuar së bashku me bashkëveprimtarë të tjerë. Sipas aktakuzës, “ai ka dashur që me dhunë ta bëjë shkëputjen e viseve perëndimore të Maqedonisë dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe Shqipërinë”. Në vitin 1969 dënohet me shtatë vjet burg, gjashtë nga të cilat i vuan të plota.
E ’81-ta ishte vazhdimësi e ’68-s. Mehmet Murtezani-Gega ishte një nga frymëzuesit dhe prijësit kryesorë të brezit ’81, i njohur si Brezi i Pranverës Shqiptare. Shënimi i 40-vjetorit të saj nëpër qytete të tjera, duke e lënë në harresë atë, është më tepër sesa një skandal!
Në vitin 1990-1991 Mehmetriza Murtezani-Gega shquhet për përkrahjen e fuqishme që ia jep pajtimit të gjaqeve në Kosovë, të filluar më 2 shkurt 1990 nga rinia studentore e Pejës, dhe të rinjve bartës të këtij pajtimi nga Tetova dhe Gostivari.
Mehmetriza Murtezani-Gega, i njohur me të drejtë edhe si “Demaçi i Tetovës”, ishte frymëzuesi dhe prijësi kombëtar i brezave të tërë jo vetëm të Tetovës.
Para disa ditësh, së bashku me disa miq nga Tetova dhe Prishtina, shkuam për ta vizituar varrin e tij. Vetëm pasi ia fshimë pluhurin nga pllaka e mermerit mundëm ta identifikojmë. Nga dëmtimi i punimit dhe shkronjave, nuk vërehej harta e as nuk lexoheshin mbishkrimi apo emrat e qyteteve të Shqipërisë së bashkuar.

No description available.
Shtyllat e varrit i gjetëm në një gjendje të mjerueshme. Të thyera, të shpërndara e të mbuluara nga bari!
Varri i Mehmet Gegës nuk është një varr i rëndomtë, ani pse ndodhet në mesin e varrezave të rëndomta të Tetovës. Mirëmbajtja e këtij varri nuk është detyrë e vajzës, por as e nipave dhe mbesave të tij. Nuk është detyrë as e nxënësve të shkollës së tij kombëtare apo qytetarëve të tjerë. Mirëmbajtja është detyrë e komunës së Tetovës. Ajo duhet të kujdeset për rregullimin dhe mirëmbajtjen e tij, duke i ngritur një rrethojë dhe vendosur një flamur shqiptar te koka, ngritur në një shtizë të lartë.
Ai meriton më shumë se vetëm një varr të harruar e të dëmtuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksierja Donjeta Sadiku do të përfaqësojë boksin kosovar në Lojërat…