Varrimi i Fadil Vokrrit do të bëhet të dielën në Prishtinë
Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë të shtunën pas një sulmi që pësoi në zemër.
Lajmin për varrimin e të ndjerit Fadil Vokrri e ka dhënë nënkryetari i FFK-së Agim Ademi.
Ademi ka thënë se varrimi i Vokrrit do të bëhet nesër në Prishtinë në orën 17:00.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se në bazë të kompetencave të tij, ka autorizuar Protokollin e shtetit që të organizojë ceremoni shtetërore të varrimit, në shenjë nderimi për legjendën e sportit.
“Republika e Kosovës e ka për obligim nderimin dhe respektin për figurën e Fadil Vokrrit. Vokrri i dha frymë edhe shtetësisë së Kosovës duke u angazhuar çdo moment për ndërkombëtarizimin e sportit tonë. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA pa dyshim ishte meritë e angazhimit të tij të madh. Emri i tij i respektuar në futbollin evropian i mundësoi Kosovës qasje më të lehtë aty ku e ka vendin, andaj Vokrri meriton nderimin dhe respektin e të gjithëve”, ka shkruar Pacolli në profilin e vet në “Facebook”.