Varrosen dy vëllezërit nga Gjilani që vdiqën pas tërmetit në Shqipëri
Dy vëllezërit që kanë humbur jetën në Durrës nga tërmetet, Isa dhe Shemsedin Abazi, janë varrosur sot në Livoçin e Epërm të Gjilanit.
Dy të ndjerët po qëndronin në hotelin ‘Tropikal’ në Durrës, i cili u rrënua tërësisht pas goditjes nga tërmeti i së martës.
Në varrimin e vëllezërve nga Livoçi i Gjilanit, ka marrë pjesë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai ka thënë se Qeveria e ka për obligim ta ndihmojë dhe ta përkrahë familjen e tyre. “Ne si Qeveri e kemi për obligim që ta ndihmojmë e ta përkrahim këtë familje, tragjedinë e se cilës do ta ndajmë të gjithë ne. Edhe në gëzim edhe në hidhërim do të jemi me ta. Le t’i qëndrojmë pranë kësaj familje që i humbi më të dashurit. Dhe duke i shprehur ngushëllim edhe për këta dy djem edhe për 40 të tjerët. Ne do të jemi këtu që t’i mbështesim. Mërzinë e kemi të pashmangshme. Ju faleminderit që keni ardhur këtu pranë familjes. Shëmsedini e Isai u prehshin në paqe”, ka thënë Kurti.
Nga tërmeti që goditi Shqipërinë deri më tani janë konfirmuar 41 viktima dhe mbi 650 të lënduar.