Varroset aktori dhe regjisori Bekim Lumi
Miq, shokë dhe dashamirë u mblodhën të martën në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisorit dhe profesorit të Arteve Bekim Lumi.
Lumi ka ndërruar jetë të hënën në moshën 52-vjeçare pas një sëmundje të rëndë me të cilën përballej tash e një kohë të gjatë.
Para se të bëhej ceremonia e varrimit u bënë homazhe dhe u mbajt një mbledhje komemorative. Në mbledhje komemorative u luajt një pjesë nga shfaqja e tij e fundit me emrin “Arturo Ui” të cilën e realizoi më 14 qershor në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike.
Motra e të ndjerit, Drita Lumi, ka falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pranë familjes në ditët e vështira nëpër të cilat kanë kaluar. “Kur e shohim tanë këtë dhimbje dhe dashuri për Bekimin e kuptojmë sa të bekuar kemi qenë ne dhe ju me Bekimin. Disa prej jush patët fatin të jeni aktor në shfaqjet skenike të Bekimit, kurse shumë e shumë të tjerë ishit aktorë të dramës jetësore dhe të momenteve shumë të vështira shëndetësore të Bekimit”, ka thënë motra e të ndjerit.
Ajo shpreson se arti i Bekim Lumit do të jetë emblemë në skenën teatrore kosovare.
Pas mbledhjes varrimi i Lumit u bë në varrezat e qytetit ku kanë marrë pjesë shumë fytyra të njohura politike e artistike të vendit.
/Epoka e re/