Varroset mësuesi dhe përkthyesi Isat Dakaj
Është varrosur sot, në varrezat e fshatit Caravik të Klinës, mësuesi shumëvjeçar Isat Dakaj.
I ndjeri ka ndërruar jetë pardje në moshën 63 vjeçe në shtëpinë e vet. Sipas fqinjit të tij Berat Dakaj, Isati ka qenë një ndër burrat më të mirë e të respektuar në lagjen Dakaj.
“Sot i thamë dhe i dhamë lamtumirën e fundit bacës Esat. Djalit të bacës Shaban. Të respektuar në fshat, në komunë dhe në shoqëri, si i ati si i biri si familja. Vdekja e tij e hershme dhe e papritur na mërziti shumë. Na plandosi të gjithëve. Kushdo që e ka njohur, e kujton një njeri të matur, të edukuar, të dashur dhe të respektuar. Mësues i shkëlqyeshëm, përkthyes i pashoq, shok i pakundshoq. Një ndër burrat më të mirë në lagjen Dakaj.
Dritë të bëftë shpirti, bacë!”, ka shkruar Berat Dakaj në “Facebook”.
Isati vitet e fundit punonte përkthyes në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.