Varshava dhe Uashingtoni pajtohen për pozicionimet e trupave të reja amerikane

30 gusht 2019 | 15:46

Varshava dhe Uashingtoni janë pajtuar për gjashtë lokacione të reja për pozicionim të trupave amerikane në Poloni, ka thënë ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka anuluar një vizitë në kombin në lindje të Evropës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar udhëtimin e tij në fundjavë për shkak të një stuhie që po arrin në Florida, andaj nën-presidenti i ShBA-së, Mike Pence, pritet të marrë pjesë në ngjarjet e planifikuara në Poloni, për të shënuar 80-vjetorin e nisjes së Luftës së Dytë Botërore, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne jemi pajtuar për gjashtë lokacione dhe kemi diskutuar për të shtatin”, ka thënë Blaszczak në një konferencë për media, bashkë me Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili ka shkuar në Poloni për këtë përvjetor.

Në muajin qershor, Polonia ka nënshkruar një marrëveshje për rritje të prezencës ushtarake amerikane në tokën e saj, për të luftuar kërcënimin në rritje nga Rusia, prej kur kjo e fundit ka aneksuar Krimenë nga Ukraina më 2014.

Polonia kufizohet në verilindje me enklavën ruse, Kaliningrad, ku gjenden disa prej raketave më të avancuara në Moskës.

Marrëveshja ushtarake e nënshkruar në muajin qershor, do të rrisë numrin e trupave të përkohshme amerikane në Poloni për 1 000 më shumë.

Aktualisht në këtë shtet janë rreth 4 500 trupa amerikane në kuadër të forcave të NATO-s.

“Polonia ka qenë një partner i jashtëzakonshëm i ShBA-së dhe NATO-s, duke shpenzuar më shumë se 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje”, ka thënë Bolton në konferencë.

Ai ka thënë se vizita e Trumpit do të riplanifikohet sa më shpejt që është e mundur. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uragani “Dorian” pritet të forcohet në shkallën e stuhive “jashtëzakonisht…