Vasfije Krasniqi-Goodman: Në vitin 1999 mu shuan ëndrrat e fëmijërisë

14 prill 2019 | 14:48

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, së bashku me përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), kanë vizituar vendin e dhunimit të saj nga forcat serbe para 20 vitesh.

Në këtë aktivitet u kërkua që për herë të parë të shënohet kjo ditë, si krimi më i heshtur, duke ftuar kështu edhe institucionet që ta shënojnë këtë ditë si “Dita e dhunimit seksual”.

Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se në vitin 1999, forcat serbe të cilët e kishin kryer këtë akt dhunimi, ia shuan asaj ëndrrat e fëmijërisë, e për ta zbutur dhembjen sado pak, ajo iu drejtua edhe UNMIK-ut dhe EULEX-it, duke kërkuar drejtësi nga ata, por që kjo e drejtë iu mohua Krasniqit, transmeton “ekonomiaonline”.

“Sot flas si 16-vjeçare kur ndodhi krimi, aty mu shuan ëndrrat e fëmijërisë nuk e dija se çka do të ndodhte, kur nisi dhunimi e dija por mendtë i kisha të familja. Drejtësi kërkova nga viti ’99. Nga UNMIK-u dhe EULEX-i drejtësia mu mohua. Nuk do të ndalem, por do të vazhdojë për 20 mijë tjera për të kërkuar drejtësi si prej Kosovë edhe prej shteteve të tjera”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në QKRMT, e cilësoi Krasniqin si një ambasadore të guximshme, duke thënë se Kosova nuk ka ditë të veçantë ku shënohet krimi më i heshtur, ai i dhunimeve seksuale gjatë luftës së fundit në vendin tonë.

“Këtë pranverë po shënojmë 20 vjet të përfundimit të luftës se Kosovës dhe po e shënojmë me aktivitete të ndryshme, e ditë lavdishme të epopesë, masakrave, por nuk ka ditë të veçantë të shënohet krimi më i heshtur i dhunimit të luftës në raport me dhunime seksuale në Kosovë. Këtu kam ambasadoren e guximshme Vasfije Krasniqin-Goodman që ka ardhur nga Amerika e largët, e cila vitin e kaluar i dha fund heshtjes e këtyre viktimave të dhunës seksuale duke ndarë rrëfimin me shoqërinë kosovare. Erdhi në vendin ku ndodhi krimi i saj para 20 viteve ku ëndrrat për një jetë të mirë u shuan”, u shpreh Rashiti.

I pranishëm për ta nderuar të mbijetuarën e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqin-Goodman, ishte edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili i premtoi mbështetje Krasniqit, duke kërkuar që të bashkohen me përjetimin e saj, për të kërkuar drejtësi ndaj aktit të kryer nga forcat serbe.


Më 16 tetor të vitit 2018-të, Vasfije Krasniqi-Goodman, u kthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë kështu e mbijetuara e parë, e cila pranoi që rrëfimin e saj për dhunën seksuale të kryer ndaj saj nga forcat paramilitare serbe në vitin 1999, ta shfaqë edhe publikisht.

Ndërsa më 18 tetor të 2018-s, Vasfije Krasniqi-Goodman, u dekorua me medalje presidenciale nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Toni Kroos tashmë e ka shprehur hapur dëshirën për t’u…