
Vasfije Krasniqi: Nga sot, 14 prilli ditë e guximit, përkulem për Nishorin
Ramadan Nishori ka shënuar moment historik, duke u bërë burri i parë që ka rrëfyer përjetimin e dhunimit seksual në luftën e fundit në Kosovë. Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, ai ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur kur ka qenë 22-vjeçar, nga dy policë serb në stacionin e policisë në Drenas.
Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuara e parë që ka rrëfyer historinë e saj të dhunimit seksual në mënyrë publike, në përfundim të ngjarjes i ka dhënë kurajo Nishorit.
“Që 6 vjet të fundit ke qenë një shok shumë i mirë për mua, por që nga sot ti do të jesh vëlla i imi. Unë përkulem përpara guximit tënd, të jetosh në një shoqëri siç jemi ne, e meriton respektin e të gjithë neve”.
“Që nga sot 14 prilli nuk do të mbahet në mend si një ditë e vuajtjes për mua, por si një ditë me guxim për të gjitha viktimat”, ka potencuar Krasniqi – Goodman.
Në anën tjetër edhe e mbijetuara tjetër, Shyhrete Tahiri – Sulejmani, ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Nishorit për ndarjen e rrëfimit.
“Faleminderit për guximin”, ka thënë ajo.
Ndërkaq edhe vajza e Nishorit ka potencuar rëndësinë e përkrahjes familjare për raste të tilla.
“Përkrahja e familjes ka vlerë të madhe, dua t’i them tjerëve që nuk kanë folur se kurrë nuk janë vet. Gjithmonë është dikush për t’ua mbajtur krahun. Babi sot ndoshta ua ka dhënë një shtysë që nuk janë veç fjalë, por është e vërtetë kjo punë”, ka thënë vajza e Ramadanit, Flutura Nishori.