Vasfije Krasniqi: Po shkoj në veri të Mitrovicës për t’iu treguar serbëve se kush jemi ne sot
Sot (e diel) më 14 prill shënon Dita memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në organizimin që është mbajtur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës për ta shënuar këtë ditë, ka marrë pjesë edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi.
Vasfije Krasniqi ka bërë me dije se do të shkojë për herë të parë në veri të Mitrovicës për t’iu treguar serbëve se kush jemi sot.
“Do të shkoj në veri të Mitrovicës sepse nuk kam qenë asnjëherë në veri, për me iu tregu serbëve se kush kanë qenë ata para 25 vjetësh edhe kush jemi ne sot, jemi të fortë dhe e kemi përballu gjithë atë dhunë e forcë dhe do t’ia dalim sepse Mitrovica është e jona”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se kjo ditë është e vështirë për të, por do që ta shndërrojë në ditë force.
“14 prilli është një ditë shumë e vështirë për mua, është ditë e mërzitshme, por unë nuk dua ta quaj dita e viktimës seksuale por dua ta quaj ditë të forcës. Dëshiroj që të na përkrahni jo vetëm më 14 prill, por për çdo ditë”, ka thënë Vasfije Krasniqi.
Ndryshe, sot në nivel vendi nis kampanja përmes të cilës do të kërkohet drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
14 prilli shënohet në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona që vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 25 vjetësh.