Vashat dardane U17 promovohen në Ligën A
Përfaqesuesja e Kosovës U17 në konkurrencën e femrave e ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit tonë.
Qysh në pjesëmarrjen e parë në garat kualifikuese të Kampionatit Evropian vashat dardane nën 17-vjeç kanë arritur ta fitojnë grupin dhe të promovohen në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2022.
Në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese në kuadër të Grupit 1 të Ligës B, Kosova ka shënuar fitore ndaj nikoqirit të ndeshjeve të këtij grupi, Luksemburgut, me rezultat 4:2.
Kjo fitore dhe goldallimi më i mirë në krahasim me Bjellorusinë ia ka mundësuar vashave të drejtuara nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi që të promovohen në Ligën A të kualifikimeve, që është një sukses i jashtëzakonshëm për futbollin kosovar në përgjithësi, e veçmas për atë femrave. Me tre gola në fitoren ndaj Luksemburgut ka kontribuuar Aurora Racaj, derisa një gol e ka shënuar Rreze Gashi.
Kësisoj, Kosova i mbylli garat e Grupit 1 të Ligës B me 7 pikë, me dy fitore (ndaj Gjeorgjisë dhe Luksemburgut) dhe një barazim (ndaj Bjellorusisë).
Tani Kosova U17 e pret tërheqjen e shortit në muajin nëntor dhe më pas nëpërmjet ndeshjeve në Ligën A, do të synojë kualifikimin historik në Evropian.
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, përzgjedhësi Kushtrim Munishi u shpreh tejet i lumtur dhe i përgëzoi vajzat e reja dardane për paraqitjen e shkëlqyeshme në këto ndeshje.
“Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Kjo është meritë e vajzave, të cilat shfaqën disiplinë dhe angazhim maksimal. Në të tri ndeshjet e këtij grupi kemi luajtur shumë mirë dhe i kemi dominuar kundërshtarët. Realisht kam besuar në këtë sukses, ngase kemi punuar në mënyrë intensive me vajzat në 2-3 muajt e fundit në Prishtinë dhe normalisht se kur punon edhe suksesi nuk mungon. Jam krenar me këto lojtare dhe i përgëzoj për paraqitjen e tyre mbresëlënëse. Ta kalosh një fazë të tillë kualifikuese qysh në debutim është ndjenjë e papërshkrueshme. Tani e meritojmë ta festojmë këtë sukses, por shumë shpejt do t’i rikthehemi punës për t’u përgatitur për fazën tjetër kualifikuese dhe pse jo ta synojmë kualifikimin historik në Evropian”, ka theksuar Munishi.